Nga Simon Hadaj
Sali Berisha ka vijuar sot të njëjtat akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit, dhe ka ripërsëritur të njëjtat mashtrime dhe gënjeshtra ndaj Irena Gjokës.
Jo vetëm që ka vijuar më të njëjtin refren, por sot ka shtuar edhe akuza të reja, duke i mbeshur Dumanit epitete të botës së krimit, ndërsa ndaj Gjokës ka vijuar i njëjti refren.
Në çdo dalje të tij përpara medias, Sali Berisha kryen 2 deri ne 3 akte të reja penale, të cilat, nëse do të merreshin si prova, do t’i shtoheshin në akuzën penale, duke iu përdorur në gjykatë.
Në fakt, Sali Berisha ka gjithë jetën e tij politike që bën të njëjtën gjë dhe duket sikur shoqëria ia ka pranuar këtë të keqe, duke mos pasur forcë dhe guxim për t’i dalë përballë. Kur një gjë e tillë bëhet me prokuror dhe gjykatës, situata është edhe më e komplikuar.
Nëse Berisha vijon sulmet ndaj Dumanit dhe Gjokës, në fakt, ai nuk e ka me ta personalisht, por e ka me çdo prokuror që do të guxojë të ngrejë një akt-akuzë të re ndaj tij, apo me çdo gjykatëse që do guxojë të japë një vendim të drejtë si rasti i Irena Gjokës.
Berisha me sulmet ndaj tyre nuk bën gjë tjetër vetëm se i bie pragut (Dumanit dhe Gjokës) për të dëgjuar dera (trupa e re gjykuese e çështjes së tij penale).
Nëse do të shohim rastin e Berishës dhe do të bëjmë një krahasim të shkurtër me rastin e Erjon Veliajt, do të shohim një trajtim të zhbalancuar dhe të padrejtë. Nëse ndaj Veliajt prokuroria çdo javë shton nga një akuzë të re, kjo për shkak edhe të reagimit të tij fillestar ndaj prokurorit të çështjes, nuk e shohim të njëjtën gjë në rastin e Berishës.
A mos është më e butë Prokuroria e Posaçme me Berishën për shkak të mjeteve të mëdha propagandistike dhe ekonomike që ka në dorë Berisha për ta anatemuar dhe për ta bërë pis punën e saj? Apo vijon ende sindroma e frikës ndaj më të fortit dhe shkeljes së hijes ndaj më të dobëtit.
Me këtë që themi, kemi vetëm për qëllim ruajtjen e të njëjtit standard ndaj çdo të pandehuri, dhe Berisha nuk përbën kurrfarë përjashtimi në këtë drejtim.