Në kulmin e fushatës elektorale të majit 2025, një detaj i vogël por shumë domethënës u vu re dhe u komentua gjerësisht në media dhe rrjetet sociale: vigoni i vendosur në krahun e djathtë të Sali Berishës. Fotografia që e tregonte Berishën me dorën e fiksuar u realizua gjatë një daljeje publike para ambienteve të SPAK, dhe menjëherë nxiti spekulime mbi gjendjen e tij shëndetësore. Pyetjet në publik nisën të shtoheshin, ndërsa Berisha zgjodhi të shmangte komentet serioze. Me ironi, ai u shpreh për gazetarët: “Më kanë çjerrë demokratët me thonj”, duke u përpjekur ta relativizonte situatën. Megjithatë, pas këtij episodi mesa duket fshihet një realitet më i ndërlikuar.
Burime të gazetës “SOT” bëjnë me dije se Sali Berisha kurohet aktualisht nga një mjek italian, të cilin e takon një herë në javë për shkak të problemeve serioze me veshkat. Gjendja e tij shëndetësore është më e rënduar nga sa është perceptuar publikisht. Përveç trajtimit për veshkat, gjatë muajve të fundit Berisha ka kryer edhe disa vizita të shpeshta te neurologët. Këto detaje e shpjegojnë praninë e vigonit në dorën e tij gjatë fushatës dhe shtojnë pikëpyetje mbi gjendjen e përgjithshme fizike të kreut të Partisë Demokratike në një moment kritik për të në lidhje me problemet me drejtësinë dhe për forcën politike që ai drejton. Ndërkohë, gjatë fushatës elektorale, Berisha ka shfaqur disa herë episode asfiksie dhe lodhje të theksuar, që e kanë detyruar të braktisë takime të planifikuara, duke mos mundur t’i çojë deri në fund. Këto raste kanë kaluar pa njoftime zyrtare, por janë vënë re nga pjesëmarrësit dhe njerëzit e ngushtë që e rrethojnë.
16 qershor, Berisha nuk u paraqit në SPAK
Nga ana tjetër Berisha nuk u paraqit në SPAK në datën 16 qershor për zbatimin e masës detyrim paraqitjeje për aferën Partizani, për shkak se ishte i sëmurë. Kreu i PD duhej të ishte para oficerit të policisë gjyqësore në orën 10:00, por avokati i tij Ledio Nuraj, njoftoi prokurorët për problemet e Berishës. Edhe avokati Genc Gjokutaj e konfirmoi këtë lajm. “Në cilësinë e avokatit mbrojtës ju bëj me dije se sot me datë 16.06.2025 ora 10.00, zoti Berisha kishte paraqitjen e tij në SPAK në zbatim të vendimit të GJKKO për caktimin e masës së “detyrimit për paraqitje”! Për arsye shëndetësore (gjendje virale) paraqitja e tij ishte e pamundur! Në lidhje me sa me sipër, u njoftua prokurori!” shkroi Gjokutaj.
Deklarata e Brahos për sëmundjen e Berishës
Meqënëse në këtë artikull trajtohen problemet e fundit shëndetësore që ka shfaqur Berisha, po risjellim deklaratën e ish deputetit të njohur socialist Spartak Braho, i cili ka folur disa kohë më parë për sëmundjen që vuan Sali Berisha.
“Jam shprehur edhe më parë për statusin e dyshimtë të Berishës, jo vetëm nga ana politike, por edhe ajo mendore. Berisha mesa duket paraqet simptomën e një psikopati të lindur, truri i të cilit përjeton turbullime të renda nervore për shkak të sëmundjes, të cilën ai vuan. Ai është diagnostikuar kohë më parë dhe tani është provuar se ai vuan nga çrregullime të furnizimit të trurit me gjak.
Këtë diagnozë atij ia ka vënë në dukje shume vite më parë profesor Bajram Preza dhe doktor M. Veveçka.