Aranit Muraçi
Qytetarët mund të jenë skeptikë. Ata që nuk përballojnë dot jetesën mund t’iu duket ironi, ose tallje. Por të dhënat zyrtare tregojnë se Shqipëria po “lulëzon” gjatë krizës së çmimeve, e cila u shkaktua nga kriza energjetike, që nisi me shpërthimin e luftës në Ukrainë duke goditur dhe tronditur vendet më ekonomitë më të forta në Europë dhe më gjerë. Pagat, sipas shifrave zyrtare po rriten më tepër sesa çmimet. Dhe ku mund të ndodhë tjetër, veçse në Shqipëri!
Nga 1 prilli paga minimale në vendin tonë do të jetë 40 mijë lekë të reja nga 34 mijë lekë që është aktualisht. Kjo është rritja e parë e madhe në 30 vite tranzicioni dhe vendimi i qeverisë lidhet me krizën e çmimeve, me qëllim për t’iu ardhur në ndihmë shtresave më të varfra të shoqërisë. Sakaq, paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë, gjatë tremujorit të katërt 2022, sipas INSTAT është 66.014 lekë, duke u rritur me 10,8 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar.
Ndërkohë, shifrat më të fundit nga Instituti i Statistikave tregojnë se, gjatë shkurtit çmimet në vendin tonë janë rritur me 7.1% krahasuar me një vit më parë, kur kishte filluar rritja. Në shkurtin e 2022-shit, inflacioni fiksohej pranë 3.9%. Kjo do të thotë se, duke iu referuar shifrave zyrtare, rritja e pagave është më e lartë se ajo e çmimeve, që do të thotë se fuqia blerëse dhe mirëqenia e qytetarëve është rritur gjatë krizës.
Papunësia në vendin tonë është 10,8%, sipas INSTAT, ndërkohë duke pësuar ulje krahasuar me një vit më parë, por është rritur gjatë muajve të fundit.
Qytetarët të cilët mezi përballojnë jetesën, pensionistët që hasin vështirësi për të blerë ilaçe, ata të cilët ende dyerve të administratës për të drejtat e mohuara, vetë fermerët mund të mos e besojnë që pagat mbi inflacionin janë rritur në çdo sektor, përveç Administratës Publike. Shifrat zyrtare tregojnë se pagat në bujqësi janë më të ulëta, por gjatë krizës në këtë sektor pagat janë rritur më tepër në përqindje se në çdo sektor tjetër.
Pagat
Gjatë tremujorit të katërt 2022, sipas INSAT paga mesatare mujore bruto për një të punësuar me pagë në sektorin e Aktiviteteve financiare dhe të sigurimit është 2,15 herë më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grup-aktivitetin e Bujqësi, pyje dhe peshkim është 35,7 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2022 paga mesatare bruto për aktivitetin e Bujqësisë, pyjeve dhe peshkimit, ka rritjen më të madhe prej 18,2 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-aktiviteti i Administratës publike dhe mbrojtjes; sigurimi social i detyrueshëm; arsimi; shëndetësia dhe aktivitete të punës sociale prej 6,2 %. Gjatë tremujorit të katërt 2022, paga mesatare mujore bruto, për një të punësuar në grup-profesionin e Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë është 65,8 % më e lartë sesa mesatarja në nivel kombëtar, ndërsa në grupin e Punëtorëve (Profesione elementare) është 37 % më e ulët.
Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit të kaluar, gjatë tremujorit të katërt 2022, paga mesatare mujore bruto në grup-profesionin e Punonjësve të kualifikuar të bujqësisë pyjeve dhe peshkimit ka rritjen më të madhe prej 17 %, ndërsa rritjen më të vogël e ka grup-profesioni i Manaxherëve, Ligjvënësve, nëpunësve të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorëve ekzekutivë 7 %.
Punësimi
Në tremujorin e katërt 2022, sipas INSTAT, shkalla e punësimit për popullsinë 15-64 vjeç është 66,5 %. Gjatë këtij tremujori, numri i të punësuarve gjithsej u rrit me 4,2 %, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, dhe u ul me 0,4 %, krahasuar me tremujorin e tretë 2022. Në tremujorin e katërt 2022, shkalla zyrtare e papunësisë në Shqipëri, për popullsinë 15 vjeç e lart, është 10,8%. Numri i të papunëve gjithsej u ul me 1,4 %, krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, dhe është rritur me 2,5 %, krahasuar me tremujorin e mëparshëm.
Në tremujorin e katërt 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës, për popullsinë 15-64 vjeç, është 74,8 %. Krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 4,4 pikë përqindje më e lartë, ndërkohë që krahasuar me tremujorin e mëparshëm është rritur me 1,4 pikë përqindje.
Për gratë, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 69,1 %, ndërsa për burrat ky tregues është 80,7 %. Për burrat, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 11,6 pikë përqindje më e lartë sesa për gratë. Krahasuar me të njëjtin tremujor të vitit 2021, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për gratë është rritur me 5,9 pikë përqindje, ndërsa për burrat është rritur 3,0 pikë përqindje.
Gjatë tremujorit të katërt të vitit 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës për të rinjtë e moshës 15-29 vjeç është 56,8 %. Ky tregues është rritur me 2,9 pikë përqindje, krahasuar me tremujorin e katërt të vitit 2021, dhe me 1,9 pikë përqindje në krahasim me tremujorin e tretë 2022. Për popullsinë 30-64 vjeç, në tremujorin e katërt 2022, shkalla e pjesëmarrjes në forcat e punës është 83,4 %. /Liberale.al/