Elmas Bogdani
Prokuroria e Posaçme (SPAK) vendosi mosfillimin e procedimit penal për kallëzimin e familjes Haklaj disa javë më parë lidhur me vrasjen e Elez dhe Cen Haklajt më 8 maj 2002 në Tropojë, duke e konsideruar të pambështetur në prova akuzën për “vrasje në rrethana cilësuese”, “organizatë kriminale” dhe “grup i strukturuar kriminal”. Megjithatë, SPAK ka marrë një vendim ndryshe për një tjetër ngjarje të rëndë të denoncuar nga e njëjta familje. Sipas dosjes që disponon gazeta “SOT”, prokurori Ened Nakuçi ka urdhëruar dërgimin për hetim të mëtejshëm të kallëzimit penal për masakrën e 21 qershorit 1997 te “Ura e Zogut” në Milot, ku u vranë Sokol Haklaj dhe Brahim Rrustemi.
Dosja do t’i bashkëngjitet procedimit penal nr. 143, datë 20.12.2019, që po hetohet nga SPAK dhe që përfshin akuza për “vrasje në rrethana cilësuese”, “organizatë kriminale” dhe “grup të strukturuar kriminal”. Në këtë kallëzim, Vjollca dhe Shote Haklaj, akuzojnë ish-presidentin Sali Berisha si urdhërues të atentatit, në bashkëpunim me anëtarë të Gardës së Republikës dhe struktura shtetërore të asaj kohe. SPAK vendosi që këto pretendime të vlerësohen nga prokurori i çështjes ekzistuese, duke mbajtur të hapur pistën për një hetim më të thelluar për rolin e mundshëm të Berishës në ngjarjet e përgjakshme të Tropojës në fund të viteve ‘90. Kujtojmë se beteja e parë për mosfillimin e procedimit penal lidhur me vrasjen e Elez dhe Cen Haklajt më 8 maj 2002 në Tropojë është apeluar nga avokati i familjes Haklaj, Idajet Beqiri në Gjykatën e Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.
Vendimi i SPAK
“Në kallëzim shpjegohet fakti se me datë 21 qershor të vitit 1997 është bërë një tentative vrasje me armë zjarri ndaj shtetasit Riza Rrustemi, i cili mbeti i plagosur rëndë. Sipas kallëzimit rezulton se shtetasi Riza Rrustemi ishte vëllai i Brahim Rrustemit, i cili ishte shoku më i ngushtë i Sokol Haklaj, i cili eshtë vëllai i dy viktimave të veprave penale të përfaqësuara dhe të mbrojtura nga Av. Idajet Beqiri. Nga kallëzimi rezulton se pas plagosjes së Rizait, vëllai i tij, Agim Rrustemi, qe sot është gjallë, ka shkuar dhe ka takuar vëllain e viktimave, të ndjerin Sokol Haklaj dhe i është lutur të shkonte ne Tirane për të vëne ne dijeni për plagosjen e rënde të Rizait, vëllain e tij shtetasin Brahim Rustemin dhe ta sillte atë me automjetin e vet ne Bajram Curri, i cili jetonte në Tiranë dhe punonte si gardist në Gardën e Republikës. I ndjeri Sokol Haklaj ka pranuar pa hezitim që ta kryente ketë shërbim ndaj shokut të tij të ngushtë.
Para se të nisej për në Tiranë, Sokol Haklaj ka shkuar në fshatin Haklaj, ku banonte xhaxhai i tij, Muharrem Isuf Haklaj, për ti treguar Shkëlzen Haklaj, vëllait të tij, i cili kishte shkuar te flinte atë naté tek xhaxhai Muharrem Haklaj, se po shkonte në Tiranë për të marrë dhe sjellë në Bajram Curri, Brahimin, vëllain e Riza Rrustemit të plagosur rënde dhe që ndodhej i shtruar ne spitalin e qytetit. Fatmir Haklaj, kushëriri i Sokol Haklaj, kur ka dëgjuar qëllimin e shkuarjes së Sokolit në Tiranë, i ka thënë se do të vinte së bashku me të, sepse nuk donte që Sokoli të udhëtonte i vetëm. Po këtë ditë që është data 21 qershor 1997 Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi, kushëriri i Fatmir Haklaj, të tre së bashku, janë nisur për në Tirane, për të marre Brahim Rrustemin. I kanë shkuar në shtëpi Brahimit dhe aty kanë gjetur bashkëshorten e Brahimit, e cila u ka thënë se burri i saj Brahimi ishte në punë, në Gardën e Republikes, duke u bere me dije orën që bashkëshorti i saj kthehej nga shërbimi në shtëpi.
Detajet
Kallëzuesit shpjegojnë se me datë 22 qershor 1997, në Bajram Curri do të shkonte të bënte një miting Presidenti i Republikës Sali Berisha, për të prezantuar deputetin e PD-së për zgjedhjet e vitit 1997, i cili sipas ligjit do të shoqërohej për këtë vizitë nga Garda e Republikës në kushtet e kaosit, destabilitetit dhe te gjendjes së luftës që sundonte në Shqipëri. Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi, kanë pritur për orë të tëra në pritje të kthimit nga puna të Brahim Rrustemit, në orarin që u tha bashkëshortja se ai kthehej në shtëpi, kanë shkuar, janë takuar, i kanë bërë me dije se çfarë kishte ndodhur me vëllain e tij Riza Rrustemi, dhe i kanë thënë që po plotësonin një amanet të tij për t’ia çuar atij në spital në Bajram Curri vellain Brahim Rrustemi. Brahim Rrustemi ishte gardist në Gardën e Republikes dhe këtë nate, në datën 21 qershor 1997, do të ishte pjesë përbërëse e gardistëve të tjerë, të cilët me një autokolonë ushtarake, nën drejtimin e Sokol Mulosmanit, do të niseshin nga Tirana rreth orës 21.15′ për të marre kontrollin dhe “lirimin” e rrugës Tiranë-Bajram Curri, për të garantuar sigurinë e Sali Berishës, të nesërmen në datën 22 qershor 1997.
Brahim Rrustemi, pasi mësoi përse kishin ardhur në Tiranë Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi, u përgatit dhe së bashku me ta u nisën nga Tirana për në Bajram Curri rreth orës 23.00. Aksi i rrugës që do ndiqnin Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj dhe Agron Gjyriqi dihej. Ai ishte Tiranë, Milot, Rubik, Shpal dhe Tropojë. Në makinën me të cilën udhëtonin, ne timon ishte Fatmir Haklaj, ne krah të tij në vend të parë ishte Brahim Rrustemi, pas Fatmirit ishte Agron Gjyriqi dhe pas Brahimit ishte Sokol Haklaj. Sapo kanë kaluar Urën Milotit, ose “Ura e Zogut”, siç njihet, në kthesën e rrugës qe të çon drejt Rrubikut, rreth orës 01:00 të datës 22 qershore 1997, në mënyre te befasishme, pa asnjë paralajmërim, pa asnjë bllokim rruge, makina e tyre është qëlluar me breshëri armësh automatike për disa sekonda. Ishte një grup prej 4 apo 5 kriminelësh. Tre prej këtyre kriminelëve janë me identitet të njohur prej familjarève te viktimave të veprës penale. Fatmir Haklaj ka ndalur menjëherë makinën dhe ka dal jashtë. Brahim Rrustemi ka rezultuar se plumbat e kishin lënë të vdekur brenda në makinë.
Nga plumbat edhe Sokol Haklaj ishte qëlluar nga armët automatike dhe kishte mbetur i plagosur. Agron Gjyriqi në momentin që të katërt ranë në prite te kriminelëve ishte në gjumë në makinë. Fatmir Haklaj pasi ka dale nga makina, i përkulur, ne qetësi te plotë dhe pa lëvizur, po orientohej të dinte se nga po vinin breshëritë e plumbave. E gjitha kjo ka ndodhur brenda disa sekondave. Një nga kriminelët ka dalë nga prita dhe me armën ne dorë i është afruar makinës nga ana ku ishte Brahim Rrustemi, tashmë i vrarë. Ka konstatuar që Brahimi nuk lëvizte, ndërsa ka pare që Sokol Haklaj ishte i plagosur dhe nuk lëvizte. Ky kriminel ka kaluar nga mbrapa makinës tek krahu i majté i automjetit dhe ka pare Agron Gjuriqin, të cilit i ka bërtitur: “Mos lëviz”! Në këtë moment qe krimineli i ka bërtitur Agron Gjuriqit “mos lëviz”, Fatmir Haklaj me armën pistolete qe dispononte, e ka qëlluar ketë kriminel duke e lënë të vrarë.
Ngjarja
Agron Gjyriqi ka dalë nga makina dhe është bashkuar me Fatmir Haklaj. Pas pak sekondash, një nga kriminelët që ishin në pritë ka thirrur dy apo tre herë: “Shpejt Agim, shpejt Agim”. Mirëpo Agim Vuka (kështu quhej krimineli që mbeti i vrarë ne këtë prite) nuk i është përgjigjur se kishte vdekur nga plumbat e pistoletës se Fatmir Haklaj. Në këtë moment 4 (katër) kriminelët e tjerë kanë filluar të qëllojnë pambarimisht me breshëri automatikësh mbi makinën ku ishin Sokol Haklaj, Fatmir Haklaj, Brahim Rrustemi dhe Agron Gjyriqi. Qëllimi i tyre ishte që te katër personat e ndodhur në makine të ishin te vdekur. Fakti që në makinë janë gjetur shenjat e 157 plumbave të dala nga armët e tyre, e vërteton këtë fakt. Po me zjarr të armëve të tyre u janë përgjigjur këtyre kriminelëve që bënë pritën edhe Fatmir Haklaj dhe Agron Gjuriqi.
Bilanci i kësaj prite ishte: Brahim Rrustemi i vdekur, Sokol Haklaj i plagosur rënde, dhe pasi ka shkuar ne spital ka ndërruar jetë, nga shkëmbimi i armëve një prej kriminelëve të pritës është vrarë, ndërsa Fatmir Haklaj dhe Agron Gjuriqi kanë shpëtuar shëndosh e mirë. Pasi janë larguar në një distancë të shkurtër nga makina, 4 kriminelet që u larguan para tyre, në një distance disi të largët, kane filluar përsëri të qëllojnë me breshëri automatiku në drejtimin e tyre. Fatmir Haklaj e ka kaluar Sokolin e plagosur nga shpina e tij, te Agron Gjuriqi dhe ju është përgjigjur kriminelëve me breshëri automatiku. Ne rrugë janë përballur me auto- kolonën e Gardës se Republikës, e cila përbëhej nga dy automjete transporti dhe një fori-strade, te mbushur me ushtarakë te Gardës me uniforme policie, si dhe disa vullnetarë civile te komanduar nga Sokol Mulosmani, i cili në atë kohë ishte komandant i Gardës së Republikës.
Grupi i gardistëve
Sipas kallëzimit të bërë nga Vjollca dhe Shote Haklaj, pretendohet se autore të vrasjes së shtetasve Brahim Rrustemi dhe Sokol Haklaj janë shtetasit Agim Vuka i vrarë, Zef Lleshi nga Shkopeti dhe një person tjetër me mbiemrin Fufi nga Mamurrasi. Vjollca dhe Shote Haklaj, pretendojnë se Garda e Republikës me drejtues Sokol Mulosmani janë nisur nga Tiranë në orën 21:00 të datës 21.06.1997, ndërsa grupi me makinën e drejtuar nga Famtir Haklaj janë nisur nga Tirana rreth orës 23:00 të po kësaj date. Ata nuk u ndeshën askund gjatë rrugës nga Fatmir Haklaj, Sokol Haklaj, Agron Gjuriqi dhe Brahim Rrustemi, të cilët u nisën nga Tirana afro 2 (dy) orë më vonë. Ky qëndruan këto forca te Gardës së Republikës dhe Sokol Mulosmani per me shume se 3 (tre) orë, derisa u ndeshën në rrugë ne Milot me Fatmir Haklaj dhe Sokol Haklaj të plagosur rëndë?! Grupi i gardistëve që komandonte Sokol Mulosmani, per te “pastruar” rrugën e Sali Berishes për të shkuar në Tropojë, dhe që ka dyshime te arsyeshme qe janë pjesë e pritës së ngritur kundër Fatmir Haklaj, dhe mbetën të vrarë Brahim Rrustemi dhe Sokol Haklaj dhe Agim Vuka (pjesë e grupit të pritës).
Sipas kallëzimit të bërë, spitali i Laçit i vuri në dispozicion Fatmir Haklaj nje ambulancë per t’i transportuar trupat e Sokol Haklaj dhe Brahim Rrustemit të vdekur deri në Bajram Curri. Ambulanca me dy personat e vdekur, té shoqëruar nga Fatmir Haklaj dhe Agron Gjuriqi arritën në Koman në datën 22 qershor 1997 në të njëjtën kohë që mbërriti në traget edhe Sali Berisha dhe suitën e vet qe e shoqëronin, të cilët kishin ardhur nga Tirana dhe do të merrnin tragetin e Komanit, për në Dushaj te Tropojes. Vjollca dhe Shote Haklaj, pretendojnë në kallëzimin e bërë se urdhëruesi i pritës tek ura e Milotit që ju është bërë shtetasve Fatmir Haklaj, Sokol Haklaj, Agron Gjuriqi dhe Brahim Rrustemi, ku mbetën të vrarë dy prej tyre, ka qenë Sali Berisha. Këtë urdhër për vrasjen e tyre e ka dhen Sali Berisha sepse mendonte se Fatmir Haklaj, kishte udhëtuar për në Tiranë dhe po ktheheshin në Tropojë për ti bërë keq atij.
Kërkesa për informacion
Në lidhje me këtë pjesë të kallëzimit që ka bëjë me vrasjen e shtetasve Sokol Haklaj dhe Brahim Rustemi me shkresën Nr. 11051 Prot datë 01.04.2025, është kërkuar informacion Zyrës së Regjistrit pranë Prokurorisë së Posaçme e cila me shkresën Nr.11601 bën me dije se: Prokuroria e Posaçme ka të regjistruar procedimin penal Nr. 143 datë 20.12.2019, për veprat penale të parashikuara nga nenet 76, 136, dhe 326, të K. Penal, në lidhje me ngjarjen e ndodhur në vendin e ngjarjes, quajtur “Ura e Zogut ose Kthesa e Rubikut” Lezhë me datë 21 qershor 1997. Ky procedim penal është regjistruar mbi bazën e akteve të procedimit penal 108, viti 2019, ardhur për kompetencë nga Prokuroria për Krime të Rënda.
Procedimi penal Nr. 143 datë 20.12.2019 që lidhet me këtë ngjarje është në proces hetimi. Prokurori vendosi se: Aktet e kallëzimit penal lidhur me ngjarjen e datës 21 qershor 1997, të “Urës Milotit, ose “Ura e Zogut”, Rubik, ku janë vrarë shtetasit Sokol Haklaj dhe Brahim Rustemi, ti dërgohen prokurorit të cështjes të procedimit Nr. 143 datë 20.12.2019, të Prokurorisë së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për të vlerësuar pretendimet e kallëzuesve për kryerjen e veprave penale të “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, “Organizate kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni neni 79/dh, 333 dhe 334 të Kodit Penal”, thuhet në vendimin e SPAK.
Dosja tjetër që po heton SPAK
Janë 200 djem që janë vrarë për shkak të konflikteve dhe ndërhyrjes së politikës, por drejtësia ka qenë e pafuqishme të veprojë. Në SPAK, në 2021 është dorëzuar një padi nga Muharrem dhe Zylfie Haklaj, të cilët akuzojnë Sali Berishën dhe 14 emra të tjerë si të përfshirë në vrasjen e djemve të kësaj familje. Madje në SPAK për të dëshmuar erdhi në 2023 vetë nga Suedia, Aishe Haklja, vajza e madhe familjes, e cila bën përgjegjës për vrasjet, Sali Berishën.