Mero Baze
Kryeministri Edi Rama reagoi në mënyrë të përmbajtur ndaj kritikave për një sërë nenesh të project kodit të ri që, më në fund, u pranua se është një grup ekspertësh të Ministrisë së Drejtësisë dhe që janë “rrjedhur” në publik pikërisht për të ngjallur debate.
Në të vërtetë, kur një ligj kaq i rëndësishëm, ndoshta më i rëndësishmi i raporteve mes shtetit dhe individit, hidhet në konsultim publik, kërkon një solemnitet, nuk ka pse të “rrëshqasë pa dashje Ulsiut”, siç mund ti shpëtojë ndonjë gjë e sikletshme kur i bërtit dikush në mbledhjet e qeverisë.
Mund të bëhej në mënyrë më serioze edhe pse përmbajtja është thellësisht jo serioze, të paktën ato nene që janë bërë publike. E vetmja gjë serioze që kam parë deri tani është ky neni për dekriminalizimin e shpërdorimit të detyrës nga nëpunësit e shtetit.
Pra, një nismë kaq serioze meriton të ballafaqohet me seriozitet me publikun, pasi, e thënë kështu që “ne e lamë ta lexonit”, duket sikur është bërë për të mbushur boshllëkun e lajmeve të gushtit dhe të merren me Ulsiun.
Tani, pas këtij sqarimi, së paku jemi të qetë që nisma është serioze dhe do të kalojë në filtrin e Bashkimit Evropian dhe institucioneve të tjera të drejtësisë në vend, dhe natyrisht edhe në syrin e publikut.
Edhe në fillim të këtij debati e kam thënë që nuk është shqetësuese se mund të miratohet një Kod në ilegalitet nëse duam të hyjmë në BE, por është e sikletshme të demonstrojmë kaq shumë paaftësi dhe mungesë orientimi të ekspertëve tanë, duke dëshmuar nivel të ulët profesional.
Shqipëria është një vend muze ku gjithë bota mund të mësojë se nga çfarë rrezikohet liria, si në diktaturë ashtu edhe në demokraci. Ky është vendi ku liria ishte e kufizuar me ligj dhe ligji zbatohej fatkeqësisht me përpikmëri në diktaturë, dhe sot është një vend ku liria garantohet me ligj dhe ligji shkelet në mes të ditës nga prokurorët dhe gjyqtarët e këtij vendi.
Pra, ne kemi përjetuar të dyja format e humbjes së lirisë: edhe atë të diktaturës, edhe atë të lirisë. Në diktaturë e kemi humbur lirinë me ligj dhe falë zbatimit të tij “korrekt”, kurse në demokraci e kemi humbur lirinë pasi e kemi garantuar me ligj, duke mos e zbatuar atë.
Ndaj dhe debati për këtë çështje është kaq i ndjeshëm, pasi ky Kodi i Ulsiut është një përzierje e dy historive fatkeqe, pasi ky mirë që është në krye të një drejtësie që shkel ligje, por tani do të na bëjë edhe një ligj të keq. Kjo është e tepërt. Dhe ishte e mirë ajo këshilla që dha kryeministri, se kush merret me këtë Kodin nuk duhet të rrijë në diell. Ulsiu duhet futur urgjent brenda.