Shqipëria do të bëhet sot skena e një prej ngjarjeve më të rëndësishme të qeverisjes së futbollit europian, duke pritur për herë të parë mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s.
Nga sot deri të premten, Federata e Futbollit ka kënaqësinë të presë në Tiranë drejtuesit më të lartë të federatave të kontinentit, anëtarët e Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, të kryesuar nga Presidenti Aleksander Čeferin.\
Sipas agjendës, ditën e sotme në orën 09:00, në “Shtëpinë e Futbollit” në Tiranë do të zhvillohet një festival futbolli për fëmijë, pjesë e programit të UEFA-s “Futbolli në Shkolla”. Ceremoninë hapëse do te behet me praninë e Presidentit te UEFA-s Aleksander Čeferin dhe Presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Sakaq, pikat kryesore që do të diskutohen në mbledhjen e Komitetit Ekzekutiv në Tiranë janë: caktimi i vendeve pritëse të finaleve të e UEFA Champions League 2027, UEFA Women’s Champions League 2027, UEFA Futsal Champions League 2026, UEFA Futsal Under-19 EURO 2027 dhe UEFA Women’s Futsal EURO 2027.
Gjithashtu, në rend dite janë edhe tre çështje të tjera: shpërblimet për finalet e UEFA Women’s Nations League 2025, miratimi i rregulloreve të Kampionatit Europian të Futsalit për vajza dhe rregulloret e fazës kualifikuese europiane për Kupën e Botës FIFA Futsal 2028.
Pasditen e kësaj të mërkure, në aeroportin e Rinasit mbërriti edhe Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili u prit nga Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka.
“Sot pata kënaqësinë të pres në Tiranë mikun tim, Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, i cili mbërriti në Tiranë me rastin e mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s që zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.
Një moment historik për futbollin shqiptar dhe një tjetër dëshmi e vlerësimit të UEFA-s ndaj vendit tonë.
Mirë se erdhe në Tiranë, z. Čeferin!” – shkruan Presidenti Duka në statusin e shpërndarë në rrjetet e tij sociale.