• KONTAKT
  • NËSE KENI PËR TË DENONCUAR NJË RAST ABUZIV APO KORRUPSIONI KONTAKTONI ME SMS REDAKSINË NË NUMRIN: (+355) 0682101111
  • sq
    • sq
    • en
    • it
Monday, September 8, 2025
  • Login
Ekskluzive
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Kryesore
    • Kronike
    • Sociale
    • Kulture
    • Diaspora
    • Bota
  • Debat
    • Blog
    • Rekomanduar
  • Ekskluzive
  • Dosja X
  • Speciale
  • Telefoni Prishur
  • Histori
  • Nostalgji
  • Metro
  • Lifestyle
  • Kuriozitete
  • Sport
  • Humor
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Kryesore
    • Kronike
    • Sociale
    • Kulture
    • Diaspora
    • Bota
  • Debat
    • Blog
    • Rekomanduar
  • Ekskluzive
  • Dosja X
  • Speciale
  • Telefoni Prishur
  • Histori
  • Nostalgji
  • Metro
  • Lifestyle
  • Kuriozitete
  • Sport
  • Humor
No Result
View All Result
Ekskluzive
No Result
View All Result

Shqiptarët dhe Kokaina në rrëfimin e Ekuadorit

September 4, 2025
in Blog

Nga Baton Haxhiu

Shqiptarët në rrëfimin e Amerikës Latine

Në Quito, në një mëngjes të kthjellët andin, unë dhe Blendi Fevziu po përfundonim një takim që nuk dukej si një bisedë e zakonshme, por si një orë leksioni të përqendruar mbi krimin global.

Përballë nesh, Alani, konsull nderi i Shqipërisë në Ekuador, kishte përpara një senduiç me salmon e avokado, të cilin e quante “më të mirin në botë”.

Me duart që shoqëronin fjalët e tij dhe me një qetësi që i ngjante një profesori në mes të ligjëratës, ai sillte në tryezën tonë jo vetëm kujtime, por një analizë të jashtëzakonshme historike dhe gjeopolitike.

Përballë meje dhe Blendit vazhdonte tregimin Alani, ai burrë i thinjur, me syze të holla dhe një gjestikulacion që i ngjante një profesori në mes të një konference të rëndësishme.

Në vendin ku po hanim mëngjes ai ishte prezantuar aty si konsull nderi i Shqipërisë, një lidhje e pazakontë mes një vendi ballkanik dhe një republike të trazuar të Amerikës Latine. Sot, në atë tryezë, ai nuk fliste për diplomaci, por për një temë që e digjte si qytetar dhe si historian.

Habia jonë ishte e natyrshme: si është e mundur që Ministria e Jashtme e Shqipërisë nuk e kishte kontaktuar kurrë këtë njeri, për të marrë informacion të saktë dhe të thelluar mbi një fenomen që prek edhe vetë vendin tonë? Në duart e tij ishin të gjitha fijet: historia e karteleve, ndryshimet e pushtetit në Amerikën Latine, mënyrat sesi portet e Ekuadorit u shndërruan në nyje të kokainës botërore.
Shqiptarët dhe Kokaina në rrëfimin e Ekuadorit
Alan C. Cathey DAVALOS, konsull nderi i Shqipërisë në Ekuador

Alani nuk ishte vetëm rrëfimtar. Ai ishte një njohës i jashtëzakonshëm i historisë, me një kujtesë të saktë për data dhe fakte, dhe një analist i aftë për ta lidhur të shkuarën me të tashmen. Në fjalët e tij kishte ekuilibër mes përjetimit personal dhe leximit gjeopolitik.

Biseda mori kthesë të papritur kur ai kujtoi episodin e akuzave të Nicolás Maduro-s ndaj shqiptarëve, të përmendur si pjesë e një plani për atentat kundër tij. Ai nuk e tha me dramë, por me qetësi analitike, duke e shpjeguar si pjesë të logjikës politike të Amerikës Latine.

“S’kishte lidhje reale me shqiptarët”, tha ai, duke shtyrë pak pjatën me senduiçin që kishte lënë gjysmë. “Por këtu, në këtë kontinent, shqiptarët perceptohen si miq të Amerikës, si lojtarë të vegjël që gjithmonë mbajnë anën e saj. Dhe kur Amerika është armiku i përjetshëm i regjimeve si ai i Maduros, është shumë e lehtë t’i përdorësh shqiptarët si simbol të një komploti. Është një narrativë e gatshme për t’u konsumuar: Amerika do grusht shteti, shqiptarët janë vegla të saj”.

Ai buzëqeshi lehtë, si për të nënvizuar absurditetin e akuzës, dhe shtoi: “Në Amerikën Latine, faji shpesh projektohet tek të huajt, tek ata që përfaqësojnë aleancën me Shtetet e Bashkuara. Për Venezuelën, shqiptarët ishin një mjet i thjeshtë retorik, një mënyrë për ta forcuar mitin e rrethimit dhe për ta mbajtur popullin në frikë”.

Në hartën e krimit botëror, linjat nuk janë vetëm kufij të vizatuar nga shtetet, por korridore të padukshme që lëvizin miliarda dollarë.

Në vitin 2022, sipas UNODC, bota prodhoi mbi 2 mijë e 300 tonë kokainë, një shifër rekord që tejkaloi çdo dekadë tjetër. Nga ky oqean pluhur i bardhë, më shumë se gjysma shkon në Amerikën e Veriut dhe Evropë, duke mbajtur gjallë një industri që vlen miliarda. Europol paralajmëroi vitin e kaluar se portet evropiane, sidomos Antwerp dhe Rotterdam, janë shndërruar në portat kryesore të trafikut, me ’Ndranghetan italiane që kontrollon mbi 80% të furnizimit.

Në këtë zinxhir global, një vend i vogël në Paqësor, i njohur dikur si “ishulli i paqes” mes Kolumbisë dhe Perusë, ka dalë në skenë si nyja më e re dhe më e rrezikshme: Ekuadori. Nga Guayaquil deri në Manta, nga portet e mbushura me banane e deri në rrugicat ku bandat shesin dozat për fëmijët, ky vend është bërë porta e kokainës drejt botës. Dhe me këtë transformim, ka ardhur edhe dhuna: në vitin 2023, Ekuadori arriti nivelin më të lartë të vrasjeve në rajon, mbi 40 për 100 mijë banorë, sipas NYT, duke kaluar edhe Kolumbinë e Venezuelën.

Rrëfimi I – Origjina e zinxhirit
“Gjithçka nisi më herët”, tha Alani, duke ngritur pak filxhanin e kafesë. “Kur kolumbianët u rrëzuan, mbetjet e tyre gjetën strehë tek guerilët.”

Në vitet ’90, ofensiva e shtetit kolumbian, me mbështetje amerikane, goditi kartelet e Medellín dhe Calit. Pablo Escobari ishte vrarë, drejtuesit kryesorë ishin arrestuar, por trafiku nuk u zhduk. Remanentët u lidhën me guerilët e FARC dhe ELN. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, këto grupe kishin humbur burimin e tyre të financimit dhe ideologjinë e tyre. Mbeti vetëm një monedhë që vlente: kokaina.

“FARC mori plantacionet, laboratorët dhe rrugët,” shpjegon ai. “Mexicanët morën tregun.” Në këtë moment, karteli i Sinaloas dhe më vonë Jalisco Nueva Generación u bënë ura me SHBA. Trafiku kalonte përmes Karaibeve, nga Haiti, Puerto Riko apo avionë të vegjël që fluturonin drejt Hondurasit e Meksikës. Ishte një ekuacion i thjeshtë: guerilë për prodhimin, kartelë për shpërndarjen, konsumatorë përfundimtarë në New York, Miami, Los Angeles.

Shqiptarët dhe Kokaina në rrëfimin e Ekuadorit

Rrëfimi II – Ekuadori hap portat
Ekuadori nuk ishte në fillim në lojë. Por në vitin 2000, pas një krize të thellë ekonomike, vendi adoptoi dollarin amerikan si monedhë zyrtare. “Ky vendim solli stabilitet,” më tha Alani, “por edhe e bëri më të lehtë pastrimin e parave për kartelet.”

Në të njëjtën kohë, një marrëveshje me SHBA lejoi Forcat Ajrore Amerikane dhe DEA-n të përdornin bazën ajrore të Mantës në bregun e Manabit. Avionët AWACS patrullonin qiellin dhe ndërprisnin avionët e vegjël të ngarkuar me drogë nga Kolumbia. Për një dekadë, kjo bazë ishte një armë e fuqishme kundër trafikut.

Por kjo kontroll nuk do të zgjaste shumë.

Shqiptarët dhe Kokaina në rrëfimin e Ekuadorit

Rrëfimi III – Epoka Correa
Në vitin 2007, Rafael Correa erdhi në pushtet me një valë populizmi dhe retorikë nacionaliste. Një nga premtimet e tij ishte mbyllja e bazës së Mantës. “Ekuadori nuk është koloni,” deklaronte ai, në frymën e Chávez-it e Moralesit. Dhe ashtu bëri: amerikanët u larguan.

“Që nga ai moment,” thotë Alani, duke tundur kokën, “krimi mori frymë lirisht.”

Inteligjenca ushtarake dhe policore u dobësua deri në shuarje. Në mars 2008, ushtria kolumbiane kreu një sulm ajror në territorin ekuadorian kundër një baze të FARC. Të dhënat treguan se baza kishte operuar me muaj të tërë pa asnjë ndërhyrje nga autoritetet vendase. Më shumë se një incident, kjo ishte një sinjal i qartë i bashkëjetesës mes guerilëve dhe pushtetit.

Për më tepër, reforma ligjore e Correas lejonte mbajtjen e dozave personale dhe minimizonte dënimet për “mulat”. “I shihnin si viktima, jo si pjesë e problemit,” thotë Alani. Historia familjare e presidentit i jepte kësaj ironinë e saj: babai i tij kishte vuajtur burg në SHBA për trafik kokaine.

Rrëfimi IV – Portet dhe gangland
Guayaquil, Manta, Puerto Bolívar – tre porte të mëdha që eksportonin banane, kafe, kakao e naftë. Por shumë shpejt, thotë Alani, ato u kthyen në autostrada të kokainës.

Kartelët meksikanë përdorën bandat lokale për të transportuar drogën nga kufiri kolumbian deri në kontejnerë. Pagesa shpesh bëhej me një pjesë të kokainës, e cila shitej brenda vendit. Brenda pak vitesh, një masë e madhe të rinjsh u kthyen në përdorues, duke ushqyer rritjen e bandave.

Konfliktet midis tyre ishin pasqyrë e luftërave të mëdha në Meksikë: dhunë rituale, shenja makabre, vrasje publike. “Një kulturë që nuk ishte kurrë pjesë e Ekuadorit,” thotë ai.

Në këtë kohë, filluan të shfaqeshin edhe shqiptarët. Në Guayaquil, sipas rrëfimit të Alanit, disa raste u lidhën me pasaporta të falsifikuara dhe tentativa për kalim drejt SHBA. “Ata nuk ishin faktor kryesor,” thotë ai, “por ishin tregues i diçkaje më të madhe: Evropa kishte hyrë në lojë.” Dhe ishte e qartë se lidhja ishte me ’Ndranghetan, që bashkëpunonte drejtpërdrejt me Sinaloan dhe Jalisco-n.

Shqiptarët dhe Kokaina në rrëfimin e Ekuadorit

Rrëfimi V – Ekuadori sot: shpërthimi i dhunës
Në vitin 2017, pasardhësi i Correas, Lenin Moreno, refuzoi të ishte kukull e tij. Por deri atëherë, bandat ishin bërë aq të fuqishme sa askush nuk mund t’i ndalte.

Në vitet që pasuan, Ekuadori u kthye në arenë të dhunës: masakra në burgje ku dhjetëra të burgosur u vranë në një ditë, shpërthime në rrugë, atentate ndaj policëve dhe politikanëve. Në gusht 2023, kandidati presidencial Fernando Villavicencio u vra në mes të rrugës, disa ditë para zgjedhjeve.

“Ky vend nuk ishte gati,” më thotë Alani. Dhe më pas më kujton radarin kinez që nuk punoi kurrë, avionët e vegjël që binin nga qielli të ngarkuar me drogë, radarët e rinj që bandat i shkatërruan në Manabi si mesazh. “Kur krimi është më i fortë se shteti, nuk ka radar që të shpëton.”

Rrëfimi VI – Zëri i Alanit
Në tavolinë, ai shtrihet pak përpara, duke folur me një pasion të rrallë. Flet për shqiptarët si një prani e vogël, por simbolike: një hallkë që lidhte Ekuadorin me tregjet evropiane. Kujton episodin e një të mituri me pasaportë të falsifikuar, që u shpëtua nga konsullata për të mos hyrë në burgun e të rriturve. “Ishte një paralajmërim,” thotë ai.

Por më shumë se për shqiptarët, ai flet për tragjedinë e vendit të tij. Për Manabin, ku bandat kontrollojnë politikën lokale. Për gjyqësorin, ku mbi 80% e gjyqtarëve u zgjodhën nga strukturat e Correas. Për faktin se, në vend që të luftohej krimi, pushteti u përdor për të kontrolluar opozitën.

Ai e thotë me një qartësi të dhimbshme: “Kur një shtet braktis inteligjencën e tij, e braktis veten”.

Shqiptarët dhe Kokaina në rrëfimin e Ekuadorit

Ekuadori dhe shqiptarët
Historia e Ekuadorit nuk është e largët për ne. Është një paralajmërim. Një vend pa luftë civile, pa traditë dhune masive, u kthye brenda pak dekadash në qendrën e re të karteleve. Shkaqet ishin të qarta: boshllëqet pas Kolumbisë, dollarizimi, dobësimi i institucioneve, kapja e gjyqësorit, infiltrimi i porteve.

Për Shqipërinë, kjo ka dy mësime. Së pari, se krimi global nuk ka kufij: edhe shqiptarët, edhe pse me rol krejt minor, u bënë pjesë e lojës. Së dyti, se dobësimi i shtetit është terren për bandat. Kur gjyqësori kapet dhe policia hesht, bosët flasin.

Në Quito, mes filxhanëve të kafesë dhe dritës që binte mbi malet, Alani më shikoi drejt dhe tha: “Ky vend nuk ishte gati për këtë. Dhe tani është shumë vonë për të menduar se dhuna mund të ndalet lehtë”.

Next Post

Valë përjashtimesh në PD, Noka spastron deputetët e pakonfirmuar para mbledhjes së strukturave

Turizmi ka rënë?! E vërteta: Të huajt nuk i ndahen Shqipërisë, numër i madh prenotimesh edhe gjatë vjeshtës

Problemet e hapura që ka SPAK me mbështetjen politike të SHBA

© Copyright 2013 Ekskluzive.al - All Rights Reserved

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
No Result
View All Result
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Kryesore
    • Kronike
    • Sociale
    • Kulture
    • Diaspora
    • Bota
  • Debat
    • Blog
    • Rekomanduar
  • Ekskluzive
  • Dosja X
  • Speciale
  • Histori
  • Nostalgji
  • Metro
  • Lifestyle
  • Kuriozitete
  • Sport
  • Humor

© Copyright 2013 Ekskluzive.al - All Rights Reserved