Alfred Lela është zëdhënës zyrtar i Partisë Demokratike dhe në këtë funksion ka edhe një portal, Politico.al.
Disa ditë më parë ai botoi një lajm të rremë, sikur gazeta TemA kishte shpikur me inteligjencë artificiale një artikull që fliste për reagimet brenda Partisë Demokratike pas humbjes në zgjedhje dhe rolin e lobistit LaCivita.
Nuk iu përgjigjëm, pasi nuk është se kemi shumë respekt për gënjeshtrat e Sali Berishës. Kemi një rubrikë humori për to.
Të vetmit që e kishin besuar këtë lajm ishin stafi i blogut Reporteri, një media e financuar nga OJQ perëndimore, e justifikuar për të krijuar një model të gazetarisë profesionale në Shqipëri.
Në pyetjet e para që më dërgoi gazetari i Reporterit, ishte e qartë që ai as nuk dyshonte fare në atë që kishte shkruar zëdhënësi i PD, dhe ishte duke më kërkuar llogari se kush ishte ajo autorja që kishte bërë artikullin.
Në fakt, ende nuk e kisha parë as vetë artikullin, pasi ishte botuar disa ditë më parë nga një prej redaktorëve online.
E pyeta dhe më dërgoi linkun e blogut ku e kishte marrë.
Pasi e sqarova se e kishim marrë nga ky blog dhe nuk ishte shpikje e gazetës TemA, pas disa ditësh më erdhën një grup pyetjesh të reja ku shprehej pakënaqësia e pronares së blogut pse e kishte marrë shkrimin gazeta TemA, pasi kjo ndodhte për herë të parë.
Ankesa e vetme serioze ishte mungesa e referencës së blogut në fund të faqes, e cila u korrigjua menjëherë.
Pra, në gjithë atë ndërmarrje të lodhshme të blogut Reporteri, dukej që kishte vetëm një shqetësim: si të provohej që gazeta TemA kishte shpikur një raport që nuk ekziston, bazuar në deklaratën e zëdhënësit të PD, i cili vetëm disa javë më parë u bë objekt përgënjeshtrimi global, pasi kishte botuar një lajm për dhëndrin e Donald Trump marrë nga një blog tjetër, dhe vetë u shfajësua se nuk ishte lajm i tij.
Nuk jam i shqetësuar për këtë përpjekje të lodhshme për të zënë në faj gazetën TemA, pasi ne bëjmë shpesh gabime dhe nuk është ndonjë mundim i madh – përveç këtij rasti ku nuk kemi bërë asnjë gabim.
Por jam shumë i çuditur se si një blog që supozohet se financohet për gazetari profesionale nuk i ka shkuar vetë në mendje të bënte një shkrim të ngjashëm me atë gazetaren që ka refuzuar t’u përgjigjet, pasi kishte botuar shkrime edhe në një nga gazetat më të lexuara greke, Proto Thema.
Nëse ka një gjë më realiste dhe më të besueshme pas zgjedhjeve të 11 majit, është pyetja reflektuese se çfarë u bë me milionat që u paguan për LaCivitën dhe a ja vlejti ajo marrëzi?
Këtë pyetje realisht e bën çdo deputet i PD me zë të ulët, por i vetmi që mendon me zë të lartë është zëdhënësi i PD, i cili është i shqetësuar nga kjo pyetje.
Dhe atë e kuptoj, se për atë paguhet. Por Reporteri nuk paguhet nga Berisha që të jetë në një gjatësi vale me shqetësimin e zëdhënësit të tij, i cili e ka legjitim censurën ndaj raporteve të tilla.