Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së ka reaguar ashpër pas raportimeve se një ish-roje burgu në Hagë, që kishte mbikëqyrur Hashim Thaçin gjatë paraburgimit, është rekrutuar si prokuror në Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe po merr pjesë në procesin kundër ish-krerëve të UÇK-së.
OVL e UÇK-së e ka cilësuar zhvillimin “skandaloz” dhe ka vënë në pikëpyetje paanshmërinë e Dhomave të Specializuara. “Si është e mundur që një person që ka pasur kontakt direkt me të akuzuarit të bëhet prokuror në të njëjtin proces? Ky është një atentat ndaj drejtësisë,” thuhet në reagim.
Organizata u ka bërë thirrje institucioneve ndërkombëtare dhe shoqërisë civile që të mos heshtin përballë asaj që e konsideron si një ndjekje politike kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Kjo nuk është drejtësi, por një padrejtësi e montuar që tenton të rishkruajë historinë e çlirimit tonë,” përfundon reagimi i OVL-së.