I dënuar me 15 vite burg për trafik ndërkombëtar droge, reduktuar në 10 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar, Klement Balil8 është liruar nga burgu me shërbim prove dhe po administron pasuritë e sekustruara, të cilat ia ka kthyer gjyqtarja e GJKKO, Iliriana Olldashi edhe me ndihmën e prokurorit të SPAK-ut, Edvin Kondili, i cili nuk ankimoi vendimin e Olldashit në Gjykatën e Apelit.
Balili i dorëzua në vitin 2019 pas presionit amerikan ndaj qeverisë shqiptare, por pas vitesh është i lirë, madje disa ditë më parë, u shfaq në festën e Fitores së Partisë Socialiste në Sarandë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ai ishte protagonist i festës socialiste, duke konfirmuar kështu edhe braktisjen e Ilir Metës, i cili si për ironi të fatit sot Meta është në burg për korrupsion dhe pastrim parash.
Lidhja e tyre ka qenë aq e ngushtë saqë Meta kishte nderin për të inaguruar resortin “Santa Quaranta” të Balilit buzë detit të Sarandës në maj të 2016, bashkë me Koço Kokëdhimin, Arben Ahmetajn, Panaritin, Vasilin etj., resot që u rrethua dhe u sekustrua një vit më vonë, por që Balili arriti t’a mbante dhe t’a rikthente hotelin dhe apartamentet e sekustruara, një histori kjo korrupsioni më vete.
Si e rimori Balili resortin
Në nëntor të vitit 2017, dhjetra forca policore rrethuan me bujë resortin Santa Quaranta buzë detit të Sarandës në zbatim të një vendimi sekuestrimi të bazuar në ligjin “Antimafia”. I shtrirë në rreth 30 mijë metra katrorë, resorti që kishte shërbyer si kamp i Pushimit të Punëtorëve gjatë regjimit komunist, administrohej nga Bashkim Balili, vëllai i madh i Kelmend Balilit – i njohur si “Eskobari i Ballkanit” dhe i dënuar me 10 vjet burg në vitin 2019 për trafik ndërkombëtar narkotikësh.
Pas sekuestrimit, resorti “Santa Quaranta” shërbeu si aset i çmuar për Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, AAPSK në gjenerimin e të ardhurave. Por 8 vjet më pas, resorti i është rikthyer pronarit të mëparshëm, Bashkim Balili, ndërsa AAPSK ndodhet në një proces gjyqësor për të përcaktuar se cila do të jetë pjesa e vet takuese prej 40% e godinës. Pronari real është pikërisht Klement Balili.
Rikthimi i resortit në duart e familjes Balili u mundësua nga një vendim i Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i shtatorit 2020, konkretisht nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi, e cila liroi nga burgu edhe dhëndrin e Sali Berishës. Vendimi çliroi nga masa e sekuestros kompaninë që administronte resortin dhe konfiskoi në favor të shtetit vetëm 40% të objektit.
Më pas Balilët arritën të kapin Agjencinë e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, duke hyrë në pazar për dhënien e ambienteve me qira për 5 muaj gjatë sezonit veror, duke i marrë po vetë.
Vendimi Iliriana Olldashit: Hoteli 60% i ligjshëm
Procesi kundër pasurisë së Klement Balilit nisi në nëntor 2017 nga Prokuroria për Krime të Rënda, e cila identifikoi dhe sekuestroi një truall me sipërfaqe 11.994 m2 në qytetin e Sarandës, resortin Santa Quaranta me sipërfaqe ndërtimi 1923 m2 dhe sipërfaqe trualli 13.000 m2, një truall 1716.91 m2 po në Sarandë si dhe dhjetra apartamente dhe një njësi tregtare.
Nën sekuestro u vendos edhe kompania Santa Quaranta Premium Resort që administronte hotelin, e cila kaloi nga Bashkim Balili tek Agjencia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara.
Por gjatë gjyqit për konfiskimin, Gjykata e Posaçme vendosi më 21 shtator 2020 që të konfiskonte vetëm 40% të pronave të sekuestruara nga Balili, duke i njohur si burime të ligjshme pjesën tjetër prej 60% të këtyre pronave.
Prokurori i çështjes, Ened Nakuçi kërkoi konfiskimin e plotë të resortit “Santa Quaranta” dhe trojeve që ai disponon, ndërsa për apartamentet kërkoi revokimin e masës së sekuestros. Ndërsa avokati i vëllezërve Balili, Sokol Hazizaj kërkoi rrëzimin e kërkesës së prokurorit për konfiskimin e “Santa Quaranta”, ndërsa shprehu dakordësi për revokimin e masës nga apartamentet.
Gjyqtarja Iliriana Olldashi e Gjykatës së Posaçme nuk i dha të drejtë asnjërës prej palëve dhe bëri një vlerësim të ndryshëm prej tyre. Kelmend Balili rezultonte si person i hetuar në vitin 2005 nga ish-Prokuroria për Krime të Rënda për veprën penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, kryer në bashkëpunim, por procedimi është pushuar në janar të vitit 2007 për pamjaftueshmërinë e provave.
Sipas vendimit të gjyqtares Olldashi, data e ndalimit të parë të Balilit më 16 korrik 2006 është marrë si indicie e përfshirjen e tij në veprimtari kriminale të krimit të organizuar. Për këtë arsye, gjykata i ngarkoi vëllezërve Balili barrë prove për të vërtetuar ligjshmërinë e burimeve të pasurisë pas datës 16 korrik 2006.
Bazuar në këtë arsyetim, Olldashi ka çmuar se prej vitit 2006, resortit “Santa Quaranta” dhe pasurive të tjera u janë bashkëngjitur pasuri të paligjshme që dyshohet se rrjedhin nga aktiviteti kriminal, në masën 40% të vlerës totale të tyre.
“Nga momenti i krijimit të kësaj pasurie me periudhën e zbatimit të masave parandaluese kundër kësaj pasurie duke përfshirë sekuestrimin dhe më pas me këtë gjykim konfiskimin, pasuria ka pësuar ndryshime nga gjendja fillestare duke rritur vlerën e saj të ndërtimit, ashtu edhe në treg, duke u bashkuar origjina e paligjshme e 40% të saj me pasuri të ligjshme, siç është rikonstruksioni i ish-Kampit të Punëtorëve dhe ndërtimi i apartamenteve,” citohet në vendim.
Gjykata vlerëson se në këtë rast zbatohet konfiskimi i pasurisë së barazvlefshme sipas nenit 12/a të ligjit të quajtur dhe ‘Antimafia’, ku përcaktohet se sekuestrimi dhe konfiksimi zbatohet dhe “kur pasuria e paligjshme është trupëzuar me pasuri të ligjshme dhe nuk mund të ndahet prej saj pa i shkaktuar një dëm thelbësor”.
Gjykata e gjeti të pabazuar kërkimin e prokurorit Nakuçi për revokimin e sekuestros për apartamentet në emër të Bashkim Balilit dhe vendosi të konfiskojë 16 apartamente në masën 40%. Për 18 apartamente të tjera të listuara në vendim u revokua masa e sekuestros, pasi ato ishin blerë nga persona të tretë që u vlerësuan si pronarë të ligjshëm.
Prokurori Ened Nakuçi nuk ushtroi ankim
Në rikthimin në duart e Balilit të pasurive të sekuestruara si produkt i veprimtarisë kriminale, ka marrë pjesë edhe SPAK-u. Prokurori i SPAK-ut Ened Nakuçi kërkoi në GJKKO sekustrimin e plotë të pasurive të Balilit, por Nakuçi nuk ushtroi ankim ndaj vendimit të gjyqtares Iliriana Olldashi, e cila i riktheu Balilit pasuritë e sekustruara.
Duket se mes GJKKO dhe SPAK ka pasur një dakordësi për këtë vendimarrje. Një ankim i bërë nga vëllezërit Balili u tërhoq më vonë në Gjykatën e Apelit, duke lënë në fuqi vendimin e shkallës së parë që njohu si të ligjshme 60% të resortit dhe truallit të tij.