Autoritetet po përdorin çdo mekanizëm që kanë në dorë për ta fshehur, por gropa financiare që po kalon kompania “Air Albania shpk” tashmë është zyrtare. Ish Ministri Arben Ahmetaj dha “alarmin” disa muaj më parë, se kjo kompani ka falimentuar dhe avionët e saj përdoren si charter-a privat nga zyrtarët shtetëror.
Skandali tejkalon dhe pritshmëritë e denoncimit të ish Zv. kryeministrit Ahmetaj. Sot i gjithë mekanizmi shtetëror është “në këmbë”, me sa duket me urdhër “nga lartë”, jo vetëm për të fshehur falimentin e kompanisë ajrore, por edhe për të urdhëruar gjyqtarë, funksionarë të QKB-së dhe grupet e interesit.
Veprimet e fundit dëshmojnë se shteti po mundohet të fsheh falimentin dhe po përdor mekanizmat përmes kërcënimit, të zhduk nga çdo pasqyrë financiare borxhin prej 4.7 milion euro ndaj kompanisë “I.B.N”.
Ajo që ka ndodhur është edhe më skandaloze, ku funksionarë të QKB kanë fshirë pas publikimit vendimin e Gjykatës së Apelit dhe urdhrin përmbarimor për borxhin prej 4.7 milion euro, ndërkohë që kanë lënë në ekstraktin historit të kompanisë ajrore vendimin e Shkallës së Parë.
Praktikisht, disa punonjës kanë shpërfillur vendimin e formës së prerë të Gjykatës së Apelit, ndërkohë kanë lënë të regjistruar vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë, që pezullonte veprimet përmbarimore ndaj kompanisë debitore “Air Albania”.
Madje, vendimi i Gjykatë së Shkallës së Parë ngre hije dyshimi, pasi i njëjti gjyqtarë ka dhënë dy vendimi të ndryshme brenda një jave, që kundërshtojnë njëra tjetrën dhe vendimin nuk është zbardhur akoma pavarësisht se çështja ka mbaruar në apel, e afatet ligjore janë tejkaluar në kundërshtim flagrant me ligjin.
Përveçse faktet fshihen duke marrë atributet e Gjykatës, një nënpunës i administratës përcakton, se cili vendim gjyqësor duhet të jap efekte dhe a duhet apo s’duhet paguar detyrimi ndaj kompanisë “I.B.N.” shpk.
Në fillim të muajit të kaluar, kompania “I.B.N”, iu drejtua Gjykatës së Shkallës së Parë, për nxjerrjen e një urdhër sekuestroje për detyrimin 4.7 milion euro fatura të papaguara, borxh i cili është i provuar përmes faturave fiskale dhe certifikuar nga një vendim i mëparshëm gjykate në muajin tetor të vitit 2024.
Ndryshimi i vendimit të gjyqtarit që kundërshtoi veten dhe moszbardhja e tij, fshirja nga sistemi i QKB të gjobës në Ekstraktin Historik të kompanisë, hedh dyshimet se në lojë janë interesa financiare okulte dhe fije që nuk dihet se ku përfundojnë.
Pavarësisht kundërshtimeve duke përdorur mekanizma ligjor dhe shtetëror, Gjykata e Apelit, me vendimin e formës së prerë të datës 13/05/2025, rrëzoi kërkesën për pezullimin e veprimeve përmbarimore nga kompania “Air Albania Shpk”, duke lënë në fuqi masën e sekuestros.
Në ekstraktin historik të kompanisë “Air Albania Shpk”, në datën 23/05/2025, u regjistrua dhe vendimi i Gjykatës së Apelit, si dhe depozitimi i urdhërit Nr. 591/11 Prot…, datë 19/05/2025, lëshuar nga shoqëria përmbarimore “QEVA” shpk, ku është urdhëruar: vendosja e masës së sekuestros konservative mbi kuotat/aksionet e palës debitore shoqëria “Air Albania” shpk, me NUIS L82113028I, për shlyerjen e detyrimit në shumën 470.946,123 lekë.
Ndërkohë në datën 26/05/2025, siç do e shihni në dokumentin e publikuar më poshtë, këto detyrime janë fshirë nga ekstrakti historik. Cila është arsyeja që borxhi prej rreth 4.7 milion euro nuk është i deklaruar në këto 5 vite aktivitet në ekstrakt, në pjesën e detyrimeve ndërkohë që ky fakt vërtetohet dhe nga vendimi i Gjykatës së Apelit dhe nga vendimi i studios përmbarimore?
Një fakt tjetër interesant, është dhe një vendim i mëparshëm në lidhje me një nga ish pilotët e kompanisë “Air Albania” me pagë mujore 5500 euro, i cili është ngritur në detyrë duke u emëruar administrator i kompanisë, pasi e paditi “Air Albania” në Gjykatën e Tiranës, pasi pagesa e tij nuk u shlye gjatë afateve ligjore. Këtë gjyq, shtetasi turk Sinan Isik e fitoi në 6/11/2023. Ndërkohë sot është emëruar administrator i kompanisë “Air Albania”.
Po i shtrojmë kompanisë ajrore disa pyetje:
A ka lëshuar administratori Sinan Isik, certifikatën e aftësisë paguese në raport në marrëveshjet e shoqërisë me palë të treta, sipas Ligjit për Tregtarët dhe Shoqëritë Tregtare, konkretisht Neni 77 i LTSHT, i cili nuk është lëshuar apo regjistruar në ekstraktin historik?
Si vazhdon operon një kompani, e cila nuk ka aktive likuiditete të mjaftueshme, për detyrimet që ka brenda 12 muajve, ndërkohë që detyrimet e prapambetura kanë mbi 4 vjet që s’janë ekzekutuar?
Cili është qëndrimi i “Albcontrol” dhe i “Turkish Airlines” si ortak i kësaj shoqërie, ku kjo kompani ka 5 vite, e cila nuk operon në mbledhjen e asamblesë të përgjithshme të ortakëve, pasqyrimin e detyrimeve financiare dhe shpërndarjen e dividentit?
Sipas praktikës dhe mendimit të juristëve rastet e tilla zgjidhen ose nëpërmjet veprimeve përmbarimore ose nëpërmjet negocimit dhe marrëvedhjes juridike. Ndërkohë që në situatën aktuale nuk po përdoret asnjë nga këto forma ligjore por mekanizma okulte me urdhra dhe kërcënime të cilat përbëjnë një skandal të madh! Cili do jetë hapi rradhës vallë? Kërcënimi i përmbaruesit, apo ndonje mekanizëm tjetër shtetëror i cili do nënshtrohet ndaj “Air Albania” SH.P.K.