Në një postim të gjatë me titull “Djalli, që fshihet pas detajit të “kandidaturave të opozitës”” gazetarja Sonila Meço ka bërë një analizë sipas saj se pse është shkelur kushtetuta në dekretin e Presidentit Begaj. Veç të tjerash, Meço e ka edhe një ‘mesazh’ për opozitës.
Sipas saj, nëse opozita pranon të futet në një garë ku është shkelur kushtetuta, atëherë ajo ka hequr dorë nga shteti i së drejtës.
“S’mund ta di ç’do të vendosë opozita, të marrë pjesë a jo në zgjedhjet e Tiranës. Për më tepër e sapo dalë nga masakra e 11 Majit. Ama një dilemë ekzistenciale mbetet për këdo pranon se jetojmë në një regjim që ka kapur çdo pushtet: a duhet pranuar pjesmarrja në një garë ku Kushtetuta është shkelur paq?
Nëse përgjigjja është “po”, atëherë kemi pranuar të heqim dorë nga ideja e shtetit të së drejtës. Dhe nëse pranohet kjo, atëherë diskutimi e negociatat për emrat bëhen krejt të parëndësishme.
Thelbësore për mua mbetet pyetja, që do t’ja drejtoja çdo ndërkombëtari nga vende demokratike e që bën arbitrin a vëzhguesin e zgjedhjeve në Shqipëri: a mundet të dekretojë Presidenti datë të re zgjedhjesh për kryetar bashkie kur Gjykata Kushtetuese nuk ka vlerësuar shkarkimin e kryetarit ekzistues në vendin e tyre?
Dhe në fund fare, një detaj kureshtar, nga ata ku fshihet me qejf djalli: pse me kaq nxitim pushteti për të shkuar në zgjedhje duke shkalafitur hapur kushtetutën? Pa hë njëherë…” – shkruan, mes të tjerash, ajo.