Sot do të nisë Konferenca e Ambasadorëve Diplo2025, “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën”, e cila do të mbahet nga datat 8-10 shtator. I pranishëm do të jetë edhe kryeministri Edi Rama si dhe ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato.
Hapja e Konferencës do të bëhet në orën 09:30 dhe deri në orën 10:30, është parashikuar që të flasë ministri i Jashtëm Igli Hasani, dhe më pas kryeministri Rama. Është parashikuar edhe një foto familjare. I ftuar nderi do të jetë edhe ministri i Jashtëm i Qipros, Constantinos Kombos, i cili do të mbajë edhe një fjalë rreth orës 10:30-11:00.
Diskutimi do të jetë i fokusuar në tre panele. Në të parin, nga ora 11:30-12:30, ku do të diskutohet për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, do të flasin Zëvendës ministrja për Evropën e Punët e Jashtme, Megi Fino; deputeti i PE-së Adnan Dibrani, ambasadori Gonzato, bashkëpunëtor i lartë kërkimor CEPS Steven Blockmans, si dhe drejtori rajonal i Fondacionit Andi Dobrushi.
Në panelin e dytë (14:00-15:00) me titull “Shqiptarët në rajon – identitet i përbashkët evropian”, do të jetë e pranishme Ministrja e Arsimit Ogerta Manastirliu, ministri për Çështjet e Jashtme të rmv Orhan Murtezani, zëvendës ministrja për Evropën e Punët e Jashtme Silda Anagnosti Çepe, zëvendës ministri i Punëve të Jashtme për Diasporën në Kosovë, Kreshnik Ahmeti, deputeti shqiptar në Serbi Shaip Kamberi si dhe kryetari i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Mal të Zi, Faik Nika.
Në panelin e tretë, që nis nga ora 15:15- 16:45, do të diskutohet për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së, dhe do të mbahet me dyer të mbyllura. Pjesë e panelit do të jenë ministrja e Shtetit dhe kryenegociatorja Majlinda Dhuia, ministrja e Shtetit për Administratën Adea Pirdeni, drejtori i Departamentit të Politikës e Integrimit në kryeministri Adrian Kamenica, si dhe drejtoresha e BE-së në MPEJ Elida Petoshati.
Në orën 19:00- 21:00, do të mbahet pritja nga presidenti Bajram Begaj, ku do të mbahet një fjalim nga presidenti si dhe një foto familjare.