Biznesmeni Ermal Beqiri, një nga emrat më të fuqishëm në tregun e teknologjisë së informacionit dhe përfitues i një numri të madh tenderësh publikë ka hyrë në radarët e SPAK. Mësohet se oficerë të BKH-së kanë ushtruar kontrolle së fundmi në ambientet e kompanisë “Soft & Solution” në pronësi të Beqirit. Nuk dihet nëse këto kontrolle lidhen me tenderat e përfituar nga kompania apo janë pjesë e një hetimi më të gjerë. Gazeta “SOT” e raportoi në artikujt e fundit se “Soft & Solution” mbetet një ndër përfitueset më të mëdha të kontratave publike në sektorin e teknologjisë së informacionit.
Detajet
Tenderët dhjetëra milionë euro të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) kanë krijuar një situatë oligopoli, në të cilën fondet qeveritare ndahen mes një grushti të vogël kompanish private, disa prej të cilave të lidhura mes tyre. Një pozicion të rëndësishëm në këtë “oligopol” ka Ermal Beqiri, i cili aktualisht zotëron dy prej shoqërive që janë prezent në rolin e fituesit në tenderët e majmë të AKSHI-t, “Soft & Solution” dhe “Horizon”. “Perandoria” informatike e Beqirit është ngritur mbi një të shkuar të diskutueshme të tij. Emri i Ermal Beqirit u bë i njohur për publikun për skandalin Meta-Prifti. Në atë kohë, inxhinieri elektronik 30-vjeçar nga Gjirokastra dhe drejtor i Teknologjisë së Informacionit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, u përzgjodh si një prej ekspertëve të thirrur në procesin për “korrupsion” që po zhvillohej në Gjykatën e Lartë ndaj ish-zv/kryeministrit, Ilir Meta.
Roli i Beqirit dhe kolegëve të tij ishin të ekspertonin videon e njohur si “Meta-Prifti”, në të cilën aludohej se Ilir Meta dhe miku e bashkëpunëtori i tij i hershëm, Dritan Prifti, të dy pjesë e qeverisë, diskutonin për “ndarje parash, në shumën 700 mijë euro”. Ekspertiza e kryer nga Ermal Beqiri dhe ekspertët e tjerë konkludoi se “videoja ishte e përpunuar” dhe se teksti ishte nxjerrë nga konteksti. Bazuar në këtë ekspertizë, trupa prej 5 gjyqtarësh e Gjykatës së Lartë shpalli të pafajshëm Ilir Metën. Paralelisht me këtë proces, Beqiri, i cili krahas punës në Rektorat, ishte edhe pedagog në universitetin “Kristal”, krijon një kompani private, “Al-Forensic”, së bashku me kolegun e tij, Ardian Pollo, një tjetër ekspert i thirrur për videon “Meta-Prifti”. Kjo shoqëri nuk pati sukses të dukshëm. Dy aksionerët e pezullojnë aktivitetin e shoqërisë në vitin 2015, ndërkohë që fitimi për vitin e fundit ishte vetëm 300 mijë lekë të reja. Më herët, Ermal Beqiri nuk kishte pasur sukses as me një kompani tjetër, “Al-Soft”, të cilën e krijoi dhe e mbylli brenda vitit 2010. Beqiri rishfaqet në publik në fund të vitit 2013, në atë që konsiderohet si “skandali i serverit të Tatimeve”. Në nëntor të atij viti pati dyshime të forta se kishte ndërhyrje të paligjshme në serverin qendror të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve.
Ringritja
Në vitin 2015, emri i Ermal Beqirit gjendet në listën e të punësuarve pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Hipotekës, në pozicionin e drejtorit të Teknologjisë së Informacionit. Gjatë periudhës që ai mbante këtë post, një kompani private pa shumë histori deri në atë kohë, “Soft & Solution”, nisi të fitonte radhazi tendera për pajisje informatike pranë Hipotekës. Gjatë vitit 2016 pati raportime mediatike që hidhnin dyshime se Ermal Beqiri fshihej pas kompanisë “Soft & Solution”, e cila zyrtarisht ishte në pronësi të Arjola Koromani. Në media nuk u gjet asnjë reagim apo qëndrim përgënjeshtrues të Beqirit mbi këto dyshime dhe akuza publike. Megjithatë, zhvillime të mëvonshme duket se kanë konfirmuar pretendimet e ngritura më herët në media. Në një kohë më të vonë, Ermal Beqiri vendos të dalë nga aktivizimi në administratën publike, duke hyrë përfundimisht në botën e biznesit. Në janar të vitit 2018 krijon kompaninë “5min.al”, me objekt “blerje e shitje dhe dhënie makinash me qira…”. Duket se ka qenë një biznes jo shumë i mirë, pasi, vetëm një vit më vonë, në janar 2019, e pezullon aktivitetin e saj. Në vitin 2021, Ermal Beqiri merr në kontroll kompaninë “Soft & Solution”, për të cilën ka pasur dyshime të mëhershme mediatike se e kontrollonte në hije, që kur ai ishte drejtor IT në Hipotekë dhe shoqëria fitonte tendera radhazi pranë atij institucionit.
Tenderi i fundit i fituar nga Ermal Beqiri
Gazeta raportoi disa ditë më parë se përpjekja këmbëngulëse e Gerond Meçes dhe kompanisë së tij Advanced Business Solutions (ABS) për të kapur kontratën luksoze prej 7.6 milionë euro për përmirësimin e sistemit informatik të Thesarit të Shtetit dështoi përfundimisht. Edhe pse ABS paraqiti ofertën më të ulët në garë, AKSHI shpalli fitues bashkimin e kompanive Communication Progress dhe Horizon e Ermal Beqirit, të cilat ofruan 1.7 milionë euro më shumë. Në tenderin ku u paraqitën disa subjekte, vetëm dy oferta u konsideruan të vlefshme: Advanced Business Solutions dhe Communication Progress + Horizon. Por AKSHI, e Linda Karçanajt në mënyrë të diskutueshme, vendosi të skualifikojë ofertën e ABS, duke e justifikuar me mungesën e përmbushjes së kritereve teknike. Në vend të saj, fituese u shpall oferta më e shtrenjtë, një praktikë e përsëritur shpesh te AKSHI që ngjall dyshime të forta për favorizim të aktorëve të njohur të skenës së tenderëve qeveritarë. Tenderi u shpall në dhjetor 2024 dhe pritej të zhvillohej në janar. Por procesi u zvarrit për më shumë se katër muaj, pas ankesave të Meçes në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP). KPP i dha pjesërisht të drejtë ABS-së dhe urdhëroi AKSHI-n të rishikonte kriteret e tenderit. Megjithatë, në përfundim, ABS u përjashtua sërish.
Alarmi i opozitës
Kujtojmë se disa javë më parë opozita bëri thirrje që SPAK të nisë një hetim të thelluar mbi procedurat e tenderave dhe financimet e këtij institucioni që drejtohet nga Mirlinda Karçanaj, pasi shumë nga tenderat i ka fituar Ermal Beqiri. Në qershor 2024, AKSHI shpalli një procedurë prokurimi për përmirësimin e Sistemit të Regjistrit Kombëtar të Gjendjes Civile, me një fond limit 3.8 milionë euro. Kjo procedurë u anulua, me argumentin se nuk kishte ofertë të përshtatshme. Në shtator 2024, i njëjti tender u rishpall, këtë herë me një fond të reduktuar në 3.6 milionë euro, të ndarë si më poshtë: 2.5 milionë euro për implementimin e sistemit (afati: 12 muaj) 1.1 milionë euro për mirëmbajtjen (afati: 24 muaj) Në këtë tender morën pjesë 3 kompani: XION IT SYSTEMS GMBH – ofroi 2.7 milionë euro SOFT & Solution – ofroi 3.1 milionë euro ATOM – ofroi 3.4 milionë euro Pavarësisht se XION IT SYSTEMS GMBH kishte ofertën më të ulët (2.7 milionë euro), ajo u skualifikua me argumentin se nuk kishte dorëzuar dokumentacion të vlefshëm. Në tetor 2024, fitues u shpall SOFT & Solution shpk, me një vlerë prej 3.1 milionë euro. Tender i ri për mirëmbajtje – fondi shtohet në 5 milionë euro. Sipas denoncimeve mediatike dhe dokumenteve të bëra publike Beqiri dyshohet se ka përfituar mbi 30 milionë euro nga AKSHI, prej të cilave 22.7 milionë euro vetëm në vitin 2024 përmes Soft & Solution shpk. Sipas deklaratave të ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj, kompania Soft & Solution përfiton rreth 80% të tenderave të AKSHI-t, ndërsa PD pretendon se rrjedha e parave të këtyre tenderave çon te familja e kryeministrit.