Së fundmi, në disa media ndërkombëtare, por edhe në forume diplomatike, është përhapur një narrativë e rrezikshme: shqiptarët po paraqiten si “baronët e rinj” të trafikut global të drogës. Madje, një përfaqësues i një shteti të Amerikës Latine në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së artikuloi publikisht për “kartelet shqiptare”, duke e përfshirë Shqipërinë në hartën e madhe të narkotikëve. Ndërkohë, në Itali u botua libri Të pamposhturit, që i kushtohet mafies shqiptare.
Është e vërtetë që disa grupe kriminale me origjinë shqiptare, janë sot aktorë në rrjetet transnacionale të drogës. Hetime të BBC-së, OCCRP-së dhe agjencive të tjera ndërkombëtare, kanë dokumentuar lidhje mes shqiptarëve dhe tregut të kokainës nga Amerika Latine drejt Europës. Por nga ky fakt, deri tek përshkrimi i një kombi të tërë si “udhëheqës i mafies globale”, ka një hendek të madh, i cili, nëse nuk kuptohet, shndërrohet në stigmatizim kolektiv.
Historia e shqiptarëve e njeh këtë fenomen. Në prag të shtetformimit më shumë se një shekull më parë, propaganda serbe i etiketonte shqiptarët si “të paaftë moralisht dhe kulturalisht për të pasur shtet”. Më vonë, gjatë valëve migratore në Itali dhe Greqi, u artikulua imazhi i emigrantit shqiptar si i dhunshëm, i pagdhendur, i prirur për delinkuencë. Sot, në epokën e globalizimit, kemi përballë një version më të sofistikuar të së njëjtës strategji: shqiptari kriminalizohet jo më si hajdut or diner, por si “truri i mafies botërore”.
Ky është një diskurs, që nuk lind rastësisht. Ai ushqen axhenda politike dhe populiste, sidomos në vende ku emigracioni shqiptar është i pranishëm. Stigmatizimi sjell vota, mbulon dështimet e brendshme dhe ofron një armik të jashtëm të gatshëm. Por për shqiptarët, pasojat janë serioze: kriminalizimi i kombit dëmton imazhin ndërkombëtar të shtetit, dobëson pozitën diplomatike dhe hedh hije dyshimi mbi të ardhmen europiane të vendit.
Të mos kemi iluzione: po, ka shqiptarë në rrjetet kriminale ndërkombëtare. Por ata nuk janë as Ndrangheta, as Camorra, as kartelet e Amerikës Latine. Roli i tyre është kryesisht në transport dhe shpërndarje, jo në piramidën drejtuese të trafikut global. Edhe kjo është e mjaftueshme për t’u dënuar, por jo për të shpallur shqiptarët “kërcënim civilizues”. Kur një pjesë kriminalizohet, nuk mund të merret si pasqyrë e të gjithëve. Përndryshe, logjika e kolektivizimit do të çonte në përfundime absurde edhe për kombe të tjera, ku mafiet kanë lindur dhe u rritën.
Dhe pikërisht këtu qëndron rreziku: nëse shqiptarët paraqiten si popull i lidhur në mënyrë organike me krimin, atëherë hapet rruga për diskurse të tjera: “Ky komb nuk meriton shtetin e vet”, “Shqipëria është një vend terroristësh”, “shqiptarët janë rrezik për sigurinë globale”. Këto nuk janë fjalë të pafajshme. Janë fraza që, nëse nuk kundërshtohen me kohë, mund të justifikojnë politika përjashtuese dhe të minojnë vetë themelet e shtetësisë.
Prandaj është aq e nevojshme, që shoqëria shqiptare të mos e ushqejë me “krenari primitive” këtë narrativë të rrezikshme, duke glorifikuar elementë kriminalë. Po aq e rëndësishme është, që shteti shqiptar të investojë më shumë në diplomacinë e tij publike dhe ndërtimin e një kundër-narrative të bazuar mbi fakte, transparencë dhe rezultate konkrete në luftën kundër krimit të organizuar.
Shqipëria dhe shqiptarët nuk janë as kartel, as mafie, as “djaj të Europës”. Ata janë një popull, që kërkon një shtet funksional dhe respekt ndërkombëtar. Të mos lejojmë që propaganda dhe paragjykimi të bëhen mjet për të dobësuar pikërisht atë që na ka munguar më shumë gjatë historisë: një shtet i fortë, i drejtë dhe i respektuar./Erarba Çiraku