Protesta e nisur e studentëve dhjetorin që lamë pas, ka bërë që në shumë fakultete të ndryshme të vendit të mos zhvillohet mësimi. Situata më alarmante është paraqitur në Fakultetin e Drejtësisë, aty ku janë ngujuar disa studentë, të cilët duke pretenduar se janë në të drejtën e tyre janë përplasur edhe fizikisht me pjesën më të madhe të këtij fakulteti, të cilët duan që të bëjnë mësim dhe që janë kundër bojkotit të mësimit.
Megjithatë, pavarësisht tentativa të ndryshme dhe apelit të dekanit të Fakultetit të Drejtësisë, Artan Hoxha për të liruar godinë, studentët ngujues nuk kanë pranuar që të dalin, duke qëndruar aty deri në plotësimin e kërkesave të tyre nga qeveria. Mirëpo, një lajm i mirë ka ardhur ditën e djeshme për studentët e Fakultetit të Drejtësisë që duan të bëjnë mësim dhe që është zbuluar nga vetë dekanati.
Përmes një statusi në rrjetet sociale, Fakulteti i Drejtësisë bëri me dije se dekanati i Fakultetit të Drejtësisë ka zgjedhur pikërisht gjimnazin “Petro Nini Luarasi” për të rinisur procesin mësimor të ndërprerë që në muajin dhjetor. Mësimi do të zhvillohen gjatë pasdites së sotme prej orës 14:00.
“Çdo orë e humbur është shumë dhe është shumë e rëndësishme të bëjmë mësim, qoftë dhe në gjimnaze. E rëndësishme është që të fillojë mësimi për ne, pastaj besoj se do të hapet shkolla dhe ne për pak ditë mund të jemi atje. Është zgjidhja e vetme e mundshme në këto momente, duke qenë se ne jemi paralizuar.
Por studentët që po protestojnë nuk e shohin zëvendësimin e orëve në godinë tjetër si zgjidhje. Nuk zgjidhet asgjë duke ndërruar një godinë sepse shumica e studentëve do të vazhdojnë të jenë këtu, kjo do të jetë një godinë e hapur”, thuhet në njoftim. Ndërkohë, në lidhje me pengimin e zhvillimit të mësimit në universitet, dje ka reaguar edhe zëdhënësja e qeverisë, Elisa Spiropali. Gjatë një prononcimi për mediat, Spiropali ka akuzuar opozitën se po merr peng fakultetet.
“Ne do bëjmë për Universitetin atë që nuk është bërë në 27 vite. Ajo që ka mbetur nga protesta është një karikaturë e protestës me angazhimin e drejtpërdrejtë të PD, LSI dhe vetë Sali Berishës, i cili është i angazhuar së bashku me disa segmente të vogla të Universitetit dhe të ushqyera ndër vite me tituj të pa merituar dhe punësim të paturpshëm aty ku kanë rrjetet nepotike militante dhe klanore. Pjesa më e madhe e fakulteteve dhe Universiteteve janë çliruar, por disa bojkotues kanë marrë peng Fakultetin e Drejtësisë”, deklaroi deputetja e PS, Elisa Spiropali.