Dy prej anëtarëve të treshes gjykuese të aferës Partizani, një prej dosjeve që pritet të ketë vëmendjen më të madhe në muaj në vazhdim, janë në GJKKO vetëm prej 2 vitesh e gjysmë. Kryesuesja Elsa Ulliri dhe gjyqtarja Rudina Palloj janë emëruar në tetor të vitit 2022, ndërsa anëtari tjetër Bib Ndreca kaloi në Gjykatën e Posaçme si pjesë e ish gjykatës së krimeve të rënda.
Ulliri dhe Palloj janë brezi i ri i gjyqtarëve të Shqipërisë, të palidhura deri tani me çështje të errëta.Të dyja e kanë kaluar procesin e vettingut me vendime unanime në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, të pranuara dhe të paankimuara në KPA nga ONM dhe komisionerët publikë.
Gjatë seancës dëgjimore për Elsa Ullirin qershorin e vitit 2022, gjyqtarja u pyet dhe dha shpjegime për një bilanc negativ të familjes në vlerë të vogël dhe për disa vendime penale lidhur me kriterin profesional. Për pastërtinë e figurës, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar kishte dorëzuar në Komision dy raporte të kundërta, i dyti negativ që në atë kohë u cilësua prej Ullirit si “fyes dhe zhgënjyes”. Elsa Ulliri përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2014 dhe prej asaj kohe ushtroi funksioni i gjyqtares në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Lezhë deri në vitin 2022 kur u delegua në GJKKO. Elsa ka dhënë vendime të forta gjatë këtyre 2 viteve e gjysmë si gjyqtare e posaçme si dënimi i ish kryebashkiakëve socialistë Vangjush Dako dhe Edison Memolla apo vendime për çështjet e inceneratorëve.
Edhe për Rudina Pallojn Komisioni i Pavarur i Kualifikimit arriti në përfundimin se ajo ishte pa probleme në të tria kriteret, pas një seancë të lehtë dëgjimore janarin e vitit 2022. Pallojit nuk iu kalua barrë prove në asnjë prej kritereve, por i ishin kërkuar shpjegime pas disa denoncimeve në kriterin e profesionalizmit.
Rudina Palloj përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2011 dhe punoi fillimisht si gjyqtare në Gjykatën e Korçës, më pas në atë të Beratit për 5 vite, si këshilltare ligjore në KLGJ për 3 vite, për t’u emëruar përfundimisht në tetor 2022 në GJKKO-në e shkallës së parë. Në këto 2 vite e gjysmë gjyqtareja Palloj ka pasur çështje të rëndësishme në dorë si inceneratorët e Tiranës, Elbasanit dhe Fierit, “Toyota Auris” me dënimin e ish kreut të prokurorisë së Vlorës Aurel Zarka, lënia në burg për SASPAC e ish ministrit Beqaj apo edhe çështje të krimit të organizuar si vrasja e Vajdin Lames dhe dosja e trafikut të drogës nga Kolumbia.
Bib Ndreca, anëtari i tretë i trupës gjykuese ndaj Sali Berishes dhe dhëndrit Malltezit, ka ardhur nga krimet e rënda në GJKKO por nuk ka punuar gjatë gjithë kohës. Ai e ka kaloi me sfida procesin e vettingut, pasi u pezullua në detyrë me një vendim shkarkimi të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit në janar të vitit 2021 ndërsa Kolegji i Posaçëm i Apelit e rikthye në detyrë në maj 2024, pra më shumë se 3 vite më vonë. Sipas KPK u konstatuan probleme në pasurinë e tij, përfshirë një apartament në Tiranë dhe disa prona të tjera. Probleme që nuk u konsideruan si të tilla nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit që prishi vendimin e KPK-së dhe riktheu në detyrë Ndrecën duke i cilësuar të besueshme deklarimet e tij. Bib Ndreca përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2009. Ai ka shërbyer si gjyqtar në Tropojë e Pukë, ndërsa në vitin 2015 u dekretua si anëtar i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda. Ndreca është i njohur për përfshirjen e tij në çështjen e njohur si “Dosja 339”, ku ka firmosur arrestimin e grupit të Avdylajve në Shijak. Pas këtij vendimi, ai u vendos nën mbrojtje të posaçme nga policia për një periudhë kohe pasi jeta rrezikohej.