Artur Zhej do të përcillet për në banesën e fundit nesër. E diela ka vetëm ceremonie private, me familjen që do pret të afërmit dhe miqtë e ngushtë, ndërsa të hënën paradite, do të zhvillohen homazhe pranë Akademisë së Arteve, duke filluar nga ora 10:00-12:00.
Aty ku Zheji studio dhe u diplomua për regjisurë, do ta përshëndesin miqtë, kolegët, bashkëpunëtorët dhe ndjekësit e tij, për tu përcjellë në fund në Varrezat e Tufinës.
Gazetari dhe publicisti i dalluar për mprehtësinë e fjalës dhe thellësinë e mendimit, ndërroi jetë befasisht nga një arrest kardiak ditën e shtunë, në Sarandë, ku po festonin ditëlindjen e të birit. Ambulanca që erdhi ta ndihmonte, nuk e shpëtoi dot
Ikja e tij e parakohshme, në moshën 64-vjeçare, bashkoi të gjithë aktorët e politikës, të cilët e vlerësuan si mik, bashkëpunëtor dhe gazetar.
Së fundmi, ka reaguar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, duke i njohur Zhejit merita të veçanta, për rolin gjatë viteve të luftës.
“I tillë ishte Artur Zheji, fjala e të cilit nuk thuhej për t’u harruar të nesërmen. Ai ishte jo thjesht një reporter i luftës, por një gazetar aktivist, një patriot i emancipuar, një dokumentues i angazhuar, që ndihmoi të ndërkombëtarizohej çështja jonë e të rritej jehona e kërkesës sonë të drejtë për liri!”, shkroi Kurti.
Zheji vinte nga një familje e shquar në botën e artit dhe letrave. I ati Petro Zheji, i përkiste plejadës si përkthyes e dijetar, ndërsa e ëma, Besa Imami, ishte aktore.
Artur Zheji studioi për regji, e më pas punoi si dramaturg. Në vitet e para të demokracisë punoi në median italiane, për tu rikthyer gjatë luftës së Kosovës, me emisionin “Luftë apo Paqe”. Ka mbajtur funksione drejtuese në disa media, si tek RTSH, ATSH dhe gazeta Mapo.
Që nga viti 2017, Zheji drejtonte emisionin politik dhe analitik “360 Gradë”, një tryezë debati për çështjet të vendit dhe botës. Ai spikaste në debatin publik, dhe me guxim, shkruante për shumëçka, Edhe për vdekjen, “Zonjën Madhështore, të pa korruptueshmen absolute”, siç e cilësonte në një refleksion, një vit më parë.