Avokatët e Ilir Metës kanë braktisur seancën në GJKKO, ku togat e zeza do të merrnin vendim lidhur me fatin e ish-presidentit.
Përfaqësuesit ligjorë të Metës kishin kërkuar lirimin e tij nga qelia, por sipas avokatëve, vendimi i togave të zeza ishte i parapërcaktuar.
Avokati i Metës, Kujtim Cakrani, u shpreh se prokuroria kërkoi qëndrimin në burg të Metës dhe sipas tij kjo do të aprovohet nga GJKKO.
“Me mua këta gjykatës nuk kanë shanse të tallen, duhet t’i kthehen ligjshmërisë.
I thashë gjyqtarit do të largohem sepse ju vendimin e keni marrë. Prokurori kërkoi rrëzimin dhe Gjykata do ta rrëzojë”, tha avokati.
“Mbrojtjen nuk e bën Meta, por e bëj unë. Meta ka qëndrimet e tij politike, por mbrojtjen nuk ma dikton as Meta dhe asnjë tjetër.
Unë jam këtu për të parashtruar medimet e mia dhe për të parë se si sillet Gjykata.
Mund të tallet Gjykata me cdo lloj avokati, por me mua nuk ka shanse të tallen”, vijoi ai.
GJKKO ndërkohë ka rrëzuar kërkesën e Ilir Metës, duke lënë në fuqi masën e “arrestit në burg” për presidentin e Partisë së Lirisë.
Ilir Meta ndodhet në burg që prej tetorit të vitit të kaluar dhe akuzohet për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie, për dy dosje, ajo e lobimit të LSI në SHBA dhe dosjen CEZ-DIA.
Më 6 gusht Meta paraqiti kërkesën për ndryshim mase duke dhënë fjalën se nuk do të arratiset nëse lirohet nga qelia, pasi mund t’i bllokohet edhe pasaporta.
Krahas tij nën akuzë janë ish-bashkëshortja Monika Kryemadhi, nëna e saj Fatimja, si dhe dy bashkëpunëtorët Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.