Seanca parlamentare, e cila do duhej të ishte një ndër më të gjatat dhe më me shumë debat, ka përfunduar në një kohë rekord, duke mos pasur as diskutime, as debate, as propozime, as kundërshtime.
Opozita e mandatit të ri po paraqitet si opozita e vjetër, me të njëjtat metoda dhe me të njëjtën strategji. Zhurmë dhe kaos, asnjë diskutim apo debat, dhe një shfaqje e shëmtuar që nuk e ndihmon atë, por vetëm e përkeqëson në sytë e shqiptarëve.
Nuk e ndihmon opozitën, sepse është një skenar i parë dhe i riparë disa herë në të kaluarën. Madje, me këtë sjellje vetëm se ia ka lehtësuar punën edhe socialistëve edhe qeverisë, e cila nuk do duhet të paraqesë përpara votuesve programin dhe platformën e saj qeverisëse, ndërkohë që e kalon në Kuvend me një votim të thjeshtë dhe të shpejtë, siç e bëri edhe sot.
Çështja nuk është në do kishte diskutime dhe debate a do kishte ndryshuar gjë për opozitën, por problematika që shtrohet është se një opozitë është mandatuar nga populli për të bërë opozitën e qeverisë me diskutime, fakte dhe argumente, jo me zhurmë, me përplasje duarsh dhe këmbësh, me sharje dhe ofendime që nuk i vlejnë askujt.
Fat më të madh se me këtë opozitë nuk do të ketë as Edi Rama as socialistët, të cilët edhe sikur të ishin lutur për një sjellje të tillë, nuk do i ishte dëgjuar lutja më mirë se sa kjo metodë dhe kjo strategji e dështuar e Berishës në këtë seancë të parë parlamentare.
Seanca e programit dhe e votimit të qeverisë është po aq e rëndësishme sa seanca e fundvitit e miratimit të buxhetit ekonomik për vitin e ardhshëm.
Me këtë sjellje sot opozita tregoi se për çdo seancë të rëndësishme do të ndjekë të njëjtën metodë zhurme dhe bllokimi, ndërkohë që votimi do kryhet, ashtu siç ndodhi dhe sot, ndërsa eksponentët e saj do dalin jashtë e do ankohen se nuk po i lejon mazhoranca të kryejnë detyrën. As më shumë dhe as më pak, vetëm një film i parë shumë herë.
Opozita në Shqipëri është e vetmja opozitë në botë që përsërit të njëjtat rrugë dhe strategji si në të kaluarën që e kanë nxjerr asgjëkundi dhe shpreson që kësaj radhe të ketë rezultate të ndryshme nga sa ka pasur më parë.