Debati për lirinë e shprehjes nuk mund të shihet i shkëputur nga shpifja si vepër penale, ndërkohë që në dëgjesën publike me gazetarët lidhur me draft-Kodin e ri Penal, drejtori i Shkollës së Magjistraturës, Arben Rakipi, artikuloi idenë se gazetarët nuk duhet të përjashtohen nga përgjegjësia penale për atë thonë e shkruajnë.
Sipas tij, nëse gazetarët lirohen nga kjo përgjegjësi, ligji do t’i licensonte për të shpifur. Madje, kjo do të krijonte edhe një perceptim të dëmshëm, sikur shpifja është e natyrshme dhe e lejueshme për profesionin e gazetarit. Në një realitet ku mediat kanë ndikim të madh në opinionin publik, një mesazh i tillë do të ishte i rrezikshëm.
Shqipëria ka premtuar ndërkombëtarisht dekriminalizimin e shpifjes, por, sipas Rakipit, kjo nuk është një normë e imponuar nga BE apo organizata të tjera ndërkombëtare.
E vërtetë është se në këtë vend ka shumë këqpërdorim të lirisë së fjalës, mirëpo shqetësimi kryesor është nëse pushteti të vendosë gjykatën si arbitër të lirisë së shprehjes, kush garanton që kërbaçi dhe frika nuk do të kthehen në mjete presioni për shtypin dhe të vërtetën.
Ky diskutim nuk është më thjesht ligjor, por është provë e emancipimit demokratik të vendit. Nëse Shqipëria do të marrë gazetarët në përgjegjësi penale apo do të kalojë drejt një modeli liberal, kjo do të përcaktojë marrëdhënien mes shtetit, medias dhe qytetarëve.
Në fund, dilema është më shumë morale sesa teknike, sepse ka të bëjë me atë se sa të gatshëm jemi të mbrojmë fjalën e lirë, madje edhe kur ajo cenon, provokon apo dhemb.