Pas historisë së Partisë së Punës së Shqipërisë, asnjë parti tjetër më shumë se Partia Demokratike nën drejtimin e Sali Berishës nuk ka shpallur ‘armiq’ të brendshëm dhe të jashtëm.
Mjafton të shohësh historikun e kësaj force politike, të shohësh vieot e publikuara së fundmi të ‘mocionistëve’, të etiketuar dhe të anatemuar, për të kuptuar që parimi marksist se ‘lufta e klasave e çon përpara shoqërinë’ është përshtatur në ‘lufta brenda familjes politike me armiq dhe spiunë të shpikur, mban udhëheqësin e patrazuar nga rreziku i pushtetit brenda partiak’.
Pasi kanë përfolur të gjallë dhe të vdekur brenda vendit, pasi kanë bashkëpunuar kur iu është dashur dhe linçuar kur i kanë parë si rrezik dhe si problem, pasi kanë pasur pushtet dhe nuk kanë bërë asgjë në këtë drejtim, sepse iu është dashur vetëm për shantazh dhe presion, kanë lënë mënjanë armiqtë shqiptarë dhe po merren duke shpikur dhe krijuar agjentë jugosllavë pikërisht në Bruksel.
Askush më mirë se sa Komisionerja e BE, Marta Kos, nuk i përmbush të gjitha kriteret e tyre. E ardhur nga ish-Jugosllavia e dikurshme, dashamirëse me Shqipërinë dhe botën shqiptare për hapjen e negociatave me Bashkimin Evropian dhe paranoja se është mikeshë e Edi Ramës, bën që t’i plotësojë të gjitha kriteret për t’u shpallur armike.
Nuk e kanë bërë vetëm armike, por e kanë shpallur edhe agjente të UDB-së jugosllave.
E kanë bërë pikërisht ata që po të gërryesh pak nën lëkurën e tyre biologjike do të gjesh agjentë jugosllavë të lyer me varak blu. Kësaj i thonë të kesh mizën nën kësulë dhe ta linçosh tjetrin pikërisht me atë që ke në familjen tënde.