Protestat e dhunshme që kanë përfshirë Nepalin kanë marrë një tjetër kthesë dramatike: një video virale tregon momentin kur ministri i Financave i vendit ndiqet dhe detyrohet të hidhet në lumë nga një turmë protestuesish të zemëruar.
Në pamjet që po qarkullojnë gjerësisht në rrjet, zyrtari shihet teksa vrapon përgjatë një përroi, me rrobat të shqyera, ndërsa turma e protestuesve e ndjek dhe brohoret nga brigjet e lumit. Momente që kanë bërë xhiron e mediave ndërkombëtare, duke simbolizuar zemërimin e madh ndaj klasës politike nepaleze.
Shkëndija që ndezi trazirat ishte vendimi i qeverisë për të bllokuar disa nga platformat më të përdorura të rrjeteve sociale, përfshirë Facebook, X (Twitter) dhe YouTube. Për një brez të rritur me teknologji dhe lidhje globale, kjo konsiderohet si një akt i drejtpërdrejtë i censurës dhe shtypjes së lirisë personale.
Protestat shpërthyen pranë ndërtesës së Parlamentit në Kathmandu, ku mijëra qytetarë – kryesisht të rinj nga mosha 13 deri në 28 vjeç – dolën në rrugë duke brohoritur.
Forcat e sigurisë reaguan me ashpërsi, duke përdorur gaz lotsjellës, topa uji, plumba gome dhe duke imponuar një ndalim qarkullimi në disa pjesë të qytetit.
Sipas autoriteteve nepaleze, të paktën 22 persona kanë humbur jetën në përplasjet e dhunshme mes protestuesve dhe policisë gjatë ditëve të fundit. Trazirat nuk janë ndalur vetëm në rrugë: shtëpia e ish-kryeministrit Jhalanath Khanal është djegur, dhe bashkëshortja e tij, Rajyalaxmi Chitrakar, raportohet se ka humbur jetën në zjarr.
Në kulmin e krizës, Kryeministri KP Sharma Oli dha dorëheqjen, duke e quajtur vendimin “për të hapur rrugën drejt një zgjidhjeje politike kushtetuese”. Dorëheqja u zyrtarizua me një deklaratë të cituar nga neni 77(1)a i Kushtetutës së Nepalit.
Sipas gazetës prestigjioze Kathmandu Post, kriza nuk ka të bëjë vetëm me ndalimin e rrjeteve sociale. Ajo është një shpërthim kundër korrupsionit të rrënjosur, mungesës së mundësive ekonomike dhe prishjes së besimit tek udhëheqësit politikë.
“Gen Z është rritur me smartphone, me trendet globale dhe me premtime për një Nepal të zhvilluar. Për ta, liria digjitale është liri personale. Ndalimi i rrjeteve sociale ndjehet si mbyllja e zërit të një brezi të tërë.”