Situatë kritike me zjarret. Vendi po përballet me temperatura të larta dhe zjarret kanë pushtuar veriun e jugun, duke shkaktuar dëme të mëdha në bujqësi, blegtori, por edhe në banesa.
Mbrëmjen e sotme është raportuar një vatër e fuqishme zjarri në Parkun Kombëtar të Prespës në Pustec, qarku i Korçës. Flakët kanë përpirë sipërfaqe të mëdha me pyll, teksa forca të shumta nga institucione të ndryshme të emergjencave ndodhen në terren për t’i shuar. Kryebashkiaku i Pustecit, Pali Kolefski, tha se po hetohet nëse zjarri është i qëllimshëm, ndërsa shpjegoi se terreni është i vështirë.
Situata është përkeqësuar edhe në në Shashicë të Vlorës. Flakët rrezikojnë disa familje edhe në Sherishtë, ndërsa policia është në gatishmëri nëse do ketë nevojë për evakuim të banorëve. Flakët i janë afruar edhe landfillit të Sherishtës, ndërsa 4 familje janë evakuuar.
Vatër e madhe zjarri është shfaqur pasditen e sotme edhe në Qafën e Buallit në Bulqizë dhe rrethinat e saj, deri në Klos. Për shuarjen e tyre është aktivizuar edhe helikopteri i ushtrisë nga ajri, teksa forca të shumta operojnë në terren.
Problematike cilësohet situata edhe në Matogjin të Selenicës, ku vatra po i drejtohet banesave e ndihmuar nga era. Autoritetet vendore kërkuan forca shtesë për aksionin, me qëllim shuarjen e flakëve. Vijon zjarri edhe në kodrat e Borshit, teksa kritike raportohet situata në Sasaj dhe Piqeras gjithashtu.
Nga mali i Shpiragut, flakët zbritën mesditën e sotme në fshatin Paftalit të Beratit, ku u evakuan edhe banorët. Në fshatin Markat në Konispol u shua vatra e zjarrit, ndërsa u evakuuan edhe banorët.
Ndërsa në fshatin Kopaçëz të Delvinës, situata sot është më e qetë por dëmet janë kolosale. Tetë banesa janë djegur plotësisht, ndërsa banorët përpiqen të mbledhin copëzat që u kanë mbetur. Sakaq po përballen me mungesën e ujit të pijshëm.
Dëme kolosale ka dhe në fshatrat e tjerë të Delvinës, si Vergo, Palavli dhe Senicë, ku deri më tani raportohen 30 shtëpi e biznese të djegura pjesërisht. Po kështu u dëmtua kisha 200-vjecare e Shën Dhimitrit.
Ministria e Mbrojtjes ka aktivizuar dronët Bayraktar TB2 për monitorim ajror, si dhe 4 helikopterë nga Mekanizmi Europian i Mbrojtjes Civile.
Aktualisht, në të gjithë territorin e vendit raportohen 17 vatra aktive zjarri dhe 9 të tjera në monitorim (të dhënat deri në orën 13:00), ndërsa mbi 450 hektarë me pyje, bimësi e pemëtari janë djegur.