Vlora po kthehet në një nga destinacionet më të preferuara për turistët që zgjedhin të udhëtojnë dhe të pushojnë me kamper. Në vitet e fundit, qyteti bregdetar është bërë një ndalesë e rëndësishme në itinerarin e udhëtarëve që kërkojnë më shumë sesa pushime tradicionale, ata që duan të eksplorojnë, të ndihen të lirë dhe të jenë sa më pranë natyrës.
Pamjet e kamperëve të parkuar përgjatë vijës bregdetare të Vlorës, nga plazhet e qeta të Zvërnecit e deri në gjiret e mrekullueshme të Radhimës apo Orikumit, janë tashmë një realitet i zakonshëm jo vetëm gjatë verës por edhe në shtator.
Ky trend i ri turistik nuk është më vetëm një kuriozitet: është kthyer në një pjesë të rëndësishme të sezonit turistik të qytetit.
Turistë nga Italia, Gjermania, Sllovenia, Çekia, Polonia, por edhe më larg – si Australia apo Kanadaja – kanë zgjedhur Shqipërinë si destinacionin e tyre e veçanërisht Vlorën si pikën më tërheqëse të bregdetit. Ajo që i tërheq nuk është vetëm klima e ngrohtë apo deti i kristaltë, por edhe mundësia për të udhëtuar lirshëm, për të zgjedhur çdo ditë një vend të ri, për të qëndruar në natyrë dhe për të përjetuar autenticitetin e jetës lokale.
Pushuesit shprehen se turizmi me kamper u jep mundësinë të udhëtojnë sipas ritmit të tyre, të ndalojnë aty ku ndihen mire dhe të shmangin strukturat tradicionale që shpesh mund të jenë të mbingarkuara gjatë sezonit turistik. Ata e cilësojnë Shqipërinë si një vend mikpritës, të sigurt dhe me një natyrë të paprekur që ende ofron eksperienca autentike dhe të paharrueshme.
“Jemi për herë të parë në Shqipëri dhe Vlora na ka mahnitur. Plazhet janë të pastra, njerëzit shumë të dashur, dhe kemi ndjerë siguri e rehati gjatë gjithë kohës. Udhëtojmë me kamper prej vitesh dhe rrallëherë kemi përjetuar një pritje kaq të ngrohtë.”
“Me pelqen mikpritja e shqiptareve. Njerezit jane shume te sjellshem. Rruget jane me cilesi, ka pak trafik ne qytet por ne pergjithesi po kalojme shume mire me kamper.”
Një tjetër turist nga Sllovenia shprehet
“Jemi nga sllovenia, jemi prej 10 ditesh ne Shqiperi, sot jemi ne Vlore. Vije bregdetare shume e bukur. Ujerat jane te kristalta ndersa ushqimi eshte fantastik. Kamperi eshte menyra ime e jeteses. Kjo eshte hera e dyte ne Shqiperi.”
Me rritjen e interesit për këtë lloj turizmi, po vërehet edhe një përmirësim gradual i infrastrukturës së nevojshme. Janë hapur disa pika të posaçme për kamperë, ku turistët mund të ndalen, të furnizohen me ujë, të bëjnë pastrimin e nevojshëm të mjeteve, si dhe të kenë qasje në internet dhe shërbime të tjera bazë. Gjithashtu, shumë biznese lokale, bujtina dhe restorante kanë filluar të mirëpresin turistët me kamper, duke i ofruar atyre hapësira për parkim dhe ushqim tradicional.
“Jam nga Austrialia, udhetojme me kamper. Na pelqen shume, eshte shume vend i bukur. Ne total do rrime dy jave ketu, do shohim edhe Ksamilin. Mezi e them fjalin Ksamil pasi gjuha shqipe me duket shume e veshtire. Plazhi na pelqen shume moti eshte ideal.”
Turizmi me kamper po kthehet në një aset të çmuar për zonën e Vlorës, duke sjellë jo vetëm një lloj të ri pushuesi, por edhe një qasje më të qëndrueshme ndaj natyrës dhe udhëtimit. Ky stil i lirë jetese dhe udhëtimi ofron një alternativë të freskët ndaj turizmit masiv dhe, nëse menaxhohet me kujdes, mund të sjellë përfitime të mëdha për ekonominë lokale dhe imazhin e Shqipërisë si një vend mikpritës dhe i hapur për të gjithë.