Kompania postare DHL ka reaguar për herë të parë në lidhje me operacionin e transportit të votave të diasporës shqiptare për zgjedhjet e 11 majit.
Ajo e ka cilësuar si një operacion të suksesshëm në 85 vende të botës, duke dhënë edhe shifrat. KQZ e kritikoi zgjedhjen e kompanisë që caktoi nënkontraktor, por kompania njoftoi sot se “nën moton “Connecting People, Improving Lives”, ka përfunduar me sukses të plotë operacionin e dërgimit dhe kthimit të votave të diasporës shqiptare në 85 shtete të botës” dhe sipas protokollit e kushteve kontraktuale.
Madje me një njoftim zyrtar theksohet se “ky operacion më i madhi në Shqipëri, ka arritur rezultate të jashtëzakonshme”.
Kompania shpjegon se janë bërë 245704 dërgesa dhe janë kthyer në KQZ 201586 vota, me një përqindje rezlizimi 82%. Kurse dërgesat e dorëzuara me sukses sipas saj janë 227914 vota, ose 92,76%.
“DHL Albania, si pjesë e rrjetit global DHL me prani në më shumë se 220 vende, realizoi këtë projekt kompleks në një afat rekord, duke garantuar procesimin dhe dorëzimin e materialeve zgjedhore me saktësi, siguri dhe transparencë të plotë. Për këtë qëllim, u aktivizua një avion i dedikuar që operoi çdo ditë deri në afatin e fundit të vendosur nga KQZ (19:00, 11 Maj 2025)”, thuhet në njoftim.
Gjithashtu sqarohet se procesi u monitorua në kohë reale nga Qendra e Kontrollit të Cilësisë për Europën (QCC Europe) në Gjermani, të kryesuar direkt nga Drejtori i Qendrës së Kontrollit të Cilësisë duke siguruar përputhshmërinë me standartet më të larta.
Në lidhje me vështirësitë apo dyshimet e ngritura për votat e diasporës, sidomos pas ankimimeve të PD-së, kompania iu përgjigj:
“Sfidat e mëdha –nga kufizimet kohore deri te kompleksiteti gjeografik dhe problematikave në cilësinë e të dhënave në dispozicion – u tejkaluan me profesionalizëm, duke përdorur teknologjinë dhe infrastrukturën e përparuar të DHL. Integriteti i shërbimit të DHL është i padiskutueshëm dhe i pakompromentueshëm ndaj çdo interesi, financiar apo politik”.
Kurse për kontratën, kompania këmbëngul se u zbatua me rigorozitet, madje nënvizon se ka marrë edhe vlerësime nga vëzhguesit politikë.
“DHL realizoi projektin duke respektuar në mënyrë e përputhje të plotë çdo detyrim kontraktual me KQZ, zbatoi çdo protokoll në procese dhe procedura për dërgimin e fletëve të votimit në 85 shtete si dhe duke respektuar në të gjitha këto shtete protokollet e shpërndarjes së sigurt në adresat përkatëse. Transparenca, kontrolli dhe regjistrimi i proceseve dhe procedurave, vëzhgimi dhe krijimi i lehtësirave për vëzhguesit e subjekteve politike në Shqipëri ishte i plotë, i gjithanshëm dhe i mirëpritur. Jemi të lumtur që kemi marrë vlerësimet maksimale nga të gjithë vëzhguesit e subjekteve politike pa përjashtim të cilët vëzhguan nga afër dhe pa ndërprerje proceset e përgatitjes së dërgesave, dërgimit të fletëve të votimit jashtë vendit dhe dorëzimin e votave në kthim”, thuhet në reagim.
Në lidhje me pretendimet politike pas procesit të numërimit, teksa ka ankimime në KQZ dhe KAS, DHL deklaron se:
“Çdo insinuatë për cenimin e integritetit të këtij projekti në botë dhe Shqipëri nga kushdoqoftë është i pavend dhe i papranueshëm. Ky projekt ishte reflektim i krenarisë dhe angazhimit të DHL-së në realizimin e qëllimit të saj për të lidhur njerëzit dhe përmirësuar jetët, duke siguruar që materialet zgjedhore të shkonin dhe të ktheheshin nga votuesit ne kohë, duke mbështetur kështu angazhimin demokratik të komunitetit shqiptar jashtë vendit”.