Edhe pse do konfirmohet gjithçka në mbledhjen e Kryesisë së Partisë Socialiste në 25 mars, në media po qarkullojnë emrat e dy kandidatëve nga radhët e selisë për bashkitë Vlorë dhe Sarandë në kuadër të zgjedhjeve lokale të 14 majit. Diplomati Ermal Dredha në Vlorë dhe biznesmeni Oltion Çaçi në Sarandë janë përzgjedhur si dy emrat nga radhët e mazhorancës që do garojnë në 14 maj në këto dy bashki bastione të PS.
Në këtë mënyrë, Dritan Leli në Vlorë dhe Adrian Gurma në Sarandë nuk do t’u jepet më shans për të rikandiduar në këto 2 qytete bregdetare. Leli është konfirmuar prej kohësh si armik i kryeministrit. Surprizë është dhe Artan Lame. Ish-drejtori i Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, i cili u shkarkua para dy ditësh, pritet të angazhohet me socialistët në zgjedhjet e majit.
Ish-zyrtari i lartë i shtetit mund të përzgjidhet për të konkuruar në një nga bashkitë e jugut të Shqipërisë. Ka patur hipoteza se Lame mund të vendoset si kandidat në Vlorë, por kjo mbetet për t’u konfirmuar përfundimisht në 25 mars.
Kush është Ermal Dredha? I ati ish-kryebashkiak i Vlorës dhe i lidhur me Ruçin
Ermal Dredha ka shërbyer para pak kohësh si ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe që nga viti 2016. Ai rezultoi njëri prej 30 diplomatëve shqiptarë që po ushtronte detyrën përtej afatit të mbarimit të mandatit diplomatik. Gjithashtu, Dredha ka ushtruar dhe funksionin e Konsullit të Republikës së Shqipërisë në Bari të Italisë. Përpara se të emërohej si ambasador i Shqipërisë në Emiratet e Bashkuara Arabe, Ermal Dredha ishte shef i
Protokollit të Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Europës. Dredha rezulton një person me lidhje të fuqishme në PS dhe me të kaluar familjare të lidhur me PS. Ai është i biri ish-kryebashkiakut socialist të Vlorës, Neki Dredha, i cili ka drejtuar qytetin bregdetar në vitet 1998-2000.
Doktor Neki Dredha ka drejtuar dhe Spitalin e Vlorës dhe ka qenë n/kryetar i Këshillit të Qarkut Vlorë. Megjithatë, përzgjedhja e Ermal Dredhës nga kupola e PS si kandidat për bashkinë e Vlorës nuk ka qenë e rastësishme. Ai është preferuar nga Sekretari i Përgjithshëm i PS, Damian Gjiknuri, drejtuesi politik i PS në Vlorë, Blendi Klosi dhe ish-kryeparlamentari Gramoz Ruçi. Këta të tre janë investuar fuqishëm për të bindur kryeministrin Edi Rama që t’ia besojë Vlorën Ermal Dredhës. Madje ky i fundit ka një lidhje familjare me Ruçin, pasi është vëllai i dhëndrrit të Gramoz Ruçit.
Kundër këtij emri duket se është kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla. Balla ka kërkuar që socialistët të garojnë në Vlorë me një emër që nuk ka lidhje me këtë qytet. Megjithatë, pavarësisht origjinës, Ermal Dredha prej 25 vitesh nuk jeton në Vlorë.
Kandidati i Sarandës është biznesmen, ja 3 emrat që u “dogjën” për Vlorën
Oltion Çaçi, kandidati favorit nga PS për të garuar në Sarandë, është sipërmarrës në fushën e turizmit. Ai është administrator i “Hotel Floëer” në Golem. Ky hotel njihet nga pushuesit si “Lulja e Golemit. Për qytetin e Vlorës, PS ka qenë e pavendosur prej kohësh se me kë kandidat do të përfaqësohej në 14 maj. Përveç Ermal Dredhës, janë përmendur më parë dhe emra të tjerë nga radhët e socialistëve si: Shefi i Urgjencës Kombëtare, Skënder Brataj; Avokati i Shtetit, Odise Moçka dhe zv/ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Vilma Bello. Por, duket se këta të fundit nuk kanë kaluar provën përfundimtare për të bindur Ramën dhe Kryesinë e PS.
Socialistët rikandidojnë 2/3 e kryebashkiakëve, Suli dhe Gjici në pritje të “OK”
Socialistët pritet të rikandidojnë në 14 maj 2/3 e kryebashkiakëve socialistë që dolën nga zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019 dhe 6 marsit 2022 (të pjesshme). Erion Veliaj në Tiranë, Gledjan Llatja në Elbasan, Benet Beci në Shkodër dhe Emirjana Sako në Durrës janë konfirmuar publikisht deri tani si kandidatët e selisë rozë në zgjedhjet e radhës për postin e kryebashkiakut. Vetë kryeministri ka vendosur që jo vetëm Sako, por dhe të gjithë kryebashkiakët socialistë që fituan postin në zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit 2022 në Rrogozhinë, Dibër, Lushnjë, Vorë dhe Dibër, do të votëbesohen sërish nga PS për të kërkuar një tjetër mandat në krye të pushtetit lokal në 14 maj.
Për rrjedhojë, Edison Memolla në Rrogozhinë, Rahim Spahiu në Dibër, Eriselda Sefa në Lushnjë dhe Blerim Shera në Vorë do të përfaqësojnë sërish partinë në pushtet në zgjedhjet lokale në këto 4 bashki. Edhe pse kishte shumë pikëpyetje për Armando Subashin në Fier dhe Qerim Ismailajn në Mallakastër nëse do të kandidonin sërish në këto qytete për shkak të skandalit të inceneratorëve dhe dënimit me 40 ditë punë për “falsifikim të formularit të dekriminalizimit” lidhur me një dënim në Greqi në 1999, i deleguari i PS për qarkun Fier, Taulant Balla bëri me dije se Subashi dhe Ismailaj janë të preferuarit e PS në këto 2 qytete.
Në bashkitë e tjera të Shqipërisë, do të kërkojnë një tjetër mandat Pjerin Ndreu në Lezhë, Flamur Golemi në Gjirokastër, Ilir Xhakolli në Pogradec, Ervin Demo në Berat, Alma Hoxha në Përmet, Arif Tafani në Belsh, Kastriot Gurra në Librazhd, Ndrec Dedaj në Mirditë dhe Tërmet Peçi në Tepelenë. Të sigurtë që nuk e kanë rikandidimin janë Safet Gjici në Kukës dhe Rakip Suli në Kamëz. Këto bashki kanë gjasa të forta të rimerren nga PD, pasi janë bastione të forta të selisë blu./ Dario Velaj