Viti 2020 është një vit që duhet harruar sa i takon lirisë së shtypit, me një numër rekord gazetarësh të burgosur në të gjithë botën, 34 prej tyre për botimin e ‘lajmeve të rreme’. Raporti i hartuar çdo 12 muaj nga Komiteti për Mbrojtjen e Gazetarëve zbulon se 274 gazetarë përfunduan në burg për punën e tyre. Por kjo shifër nuk përfshin ata që janë arrestuar dhe liruar.
Për të dytin vit radhazi, rekordin e zi e mban Kina, me 47 anëtarë të medias pas hekurave, i ndjekur nga Turqia me 37 të arrestuar. Në Egjipt janë burgosur 27 gazetarë dhe 24 në Arabinë Saudite. Pesëmbëdhjetë janë në burg në Iran, ku Ruhollah Zam u ekzekutua në 12 Dhjetor pasi u përball me 17 akuza përfshirë spiunimin dhe përhapjen e lajmeve të rreme jashtë vendit.
Raporti thotë se burgosja e anëtarëve të medias u rrit këtë vit, ndërsa qeveritë goditën mbulimin e koronavirusit ose u përpoqën të shtypnin lajmet e trazirave politike.
Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Antonio Guterres tha se ishte i tronditur nga rezultatet e raportit.
Në një deklaratë, kreu i Kombeve të Bashkuar u bëri sërish thirrje qeverive që të lirojnë menjëherë gazetarët e ndaluar për ushtrimin e profesionit të tyre.
“Në jetën tonë të përditshme, gazetarët dhe operatorët e medias janë thelbësore për të na ndihmuar të marrim vendime të informuara. Ndërsa bota lufton pandeminë Covid-19, ato vendime janë edhe më vendimtare dhe mund të bëjnë ndryshimin midis jetës dhe vdekjes”- shtoi ai.