Gjykata e Posaçme ka vendosur heqjen e masës së sigurisë ‘arrest në shtëpi’ për dhëndrin e kryedemokratit Sali Berisha, Jamarbër Malltezi, i akuzuar nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash. GJKKO ka marrë këtë vendim, kundrejt një garancie pasurore prej 3 milionë lekësh, të vënë në dispozicion nga Malltezi, i cili bashkë me Argita Berishën nga mbi 20 milionë euro pasuri.
Tre gjyqtarët e GJKKO që liruan dhëndrin e Sali Berishës nga arresti shtëpiak janë Elsa Uliri, Bib Ndreca dhe Rudina Palloj. Gjatë seancës, SPAK, ka qenë kundër ndryshimit të masës ndaj Malltezit. Tani dhëndri i Berishës do t’a presë gjykimin për korrupsion dhe pastrim parash në gjendje të lirë.
Sipas SPAK, Malltezi ka përfituar të ardhura në vlerën e 5.4 milionë eurove nga një biznes ndërtimi në mënyrë të parregullt, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha.
Të pandehur për dosjen “Partizani” janë ish-kryeministri Sali Berisha, Jamarbër Malltezi si dhe tre persona të tjerë.
Ndaj kreut të PD-së është ngritur akuza për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim.
Edhe pas këtij vendimi, ashtu si gjatë gjithë kohës, dhëndri i Berishës foli për një proces farsë sipas tij dhe bëri sikur nuk është i kënaqur.
“Kemi zëvendësimin e masës me garanci pasurore. Ka mbi 20 muaj që kjo ishte një farsë politike, ishte një urdhër politik. Nuk kemi të bëjmë me një shtet ligjor, por me një shtet që lufton armiqtë e PS.
Vendimi i sotëm vjen pas 20 muajsh privim lirie thjesht me një urdhër politik të Edi Ramës. E mbani mend se si në Kongresin e PS Edi Rama urdhëroi SPAK të procedojë penalishët Sali Berishën, të njëjtën gjë e kërkoi edhe ambasadorja e korruptuar amerikane si Yuri Kim. Prandaj kemi të bëjmë me një proces politik,” deklaroi Malltezi.