Eliminohen pengesat për shkarkimin e Presidentit Ilir Meta nga detyra. Teksa mazhoranca qeverisëses është duke pritur raportin e Komisionit të Venecias, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka hedhur hapin final për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Kjo gjykatë momentalisht nuk është funksionale, pasi ka vetëm një anëtar sikundër është zonja Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandati, por që do qëndrojë derisa të zgjidhet emri pasardhës.
Mirëpo, të gjitha pengesat për ringritjen e kësaj gjykate duket se janë eliminuar. Në mbledhjen e fundit, KED ka bërë pikëzimin përfundimtar të renditjes së kandidaturave për 4 vende vakante në Gjykatën Kushtetuese, si dhe ka hartuar raportet përkatës të kësaj renditjeje. Kështu, sipas procedurave listat me pikëzimin përfundimtar do t’iu dorëzohen Kuvendit dhe Presidencës. Më pas, këta dy institucione do të zgjedhin nga dy anëtarë të Gjykatës Kushtetuese. Ndërkohë që, duhet theksuar fakti se ringritja e Kushtetueses nuk bllokohet dot sepse nëse Kuvendi dhe Presidenca nuk ushtrojnë të drejtën e tyre për të zgjedhur anëtarë brenda një muaji, atëherë gjyqtar i Kushtetueses zgjidhet automatikisht kandidati i renditur më lart nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi. Kjo do të thotë se brenda një muaji Gjykata Kushtetuese pritet të jetë gati. Pra, me ngritjen e Gjykatës Kushtetuese duket se edhe shkarkimi i Presidenti Ilir Meta nga detyra është më afër se kurrë. Në momentin që Kuvendi do ta shkarkojë Metën, çështja do të shkojë në Kushtetuese për interpretim, e cila ka tagrin e fundit për ta vendosur nëse kreu i shtetit ka shkelur ligjin apo jo.
Interesant është fakti se nga pikëzimi paraprak i kryer nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, sa i takon kandidatëve të Presidencës për vakancën e shpallur nga Presidenti për datën 07.02.2018, në vend të parë qëndron Arta Vorpsi me 89.642 pikë. Në vend të dytë është Elsa Toska me 85.428 pikë, ndërsa në vend të tretë Besnik Muçi me 81.928 pikë. Kujtojmë që për Besnik Muçin ka një ankim në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe kërkohet shkarkimi i tij nga Komisioneri Publik. Ndërkohë, sa i takon kandidatëve të Kuvendit për vakancën e shpallur nga ky institucion për datën 12.02.2018, në vend të parë qëndron Arta Vorpsi me 89.642 pikë. Në vend të dytë është Elsa Toska me 85.428 pikë, ndërsa në vend të tretë Besnik Muçi me 81.928 pikë. Sakaq, sa i takon kandidatëve të Presidencës për vakancën e shpallur nga Presidenti për datën 04.03.2019, në vend të parë qëndron Arta Vorpsi 89.642 me pikë. Në vendin e dytë qëndron Fiona Papajorgji me 88.785 pikë, ndërsa në vendin e tretë Elsa Toska 85.428 me pikë.
Ndërkohë, sa i takon kandidatëve të Kuvendit për vakancën e shpallur nga ky institucion për datën 04.03.2019, në vend të parë Arta Vorpsi me 89.642 pikë. Në vend të dytë qëndron Fiona Papajorgji me 88.785 pikë, ndërsa në vendin e tretë qëndron Elsa Toska me 85.428 pikë. Pra, kjo do të thotë se me zgjedhjen e katër emrave, shkon në pesë numri në total anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, duke qenë se anëtares Vitore Tusha, të cilës i ka mbaruar mandati, ka të drejtë ta ushtrojë detyrën. Ndërkohë, që në mbledhjen e para dy ditëve Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka diskutuar edhe për anëtarin e gjashtë të Gjykatës Kushtetuese, vakancë kjo e hapur nga Kuvendi për datën 21.08.2019.
Por mazhoranca qeverisëse, përveçse është e vendosur për ta shkarkuar Presidentin Ilir Meta nga detyra, pritet të hetojë edhe pretendimet e kreut të shtetit. Ky i fundit teksa ishte thirrur në komisionin hetimor për të dëshmuar, theksoi mes të tjerash se një nga arsyet që u detyruar të anulonte zgjedhjet e 30 qershorit, ishte informacioni që kishte marrë nga Shërbimi Informativ se do të digjej Parlamenti gjatë protestës së 8 qershorit. Kështu, gazeta ka mësuar se kreu i SHISH, Helidon Bendo pritet të thirret në komisionin hetimor në seancë dëgjimore, edhe pse është thirrur në seancë dëgjimore edhe nga Komisioni i Sigurisë. Pra, sapo disa deputetë të pajisen me certifikatë sigurie, kreu i SHISH do dëshmojë në Kuvend, për të dhënë detaje mbi informacionin që i dha Metës, i cili duhet të vinte në dijeni institucionet shtetërore, pasi ky detaj nuk i justifikon shkeljet e kreu të shtetit. /Rigels Seliman