Nga Akil Ylli
Ma merr mendja, çdo shqiptar që i ka dy pare mend në kry, zhvillimet e fundit politike, kushedi sa herë do t’i kenë provoku të rrënqethunat. Kuptohet, jo prej emocioneve mbreslënëse, por prej pështirosjes që i ndjellin, politikanët e opozitës mosqofshin e fatkeqësisht dhe institucionet shtetërore, që nuk kanë asnjë lidhje me profesonin e vështirë të politikës.
Idea që i bën bashkë këta soj krijesash, është e njejtë me atë të një bande ordinere kriminelësh, njësoj si ajo e Dajtit, Nikles, Capajve, Mandelës etj. Ndërsa, përsa i përket meritës, këtu vlerësimi nuk është i njëjti. Falë politikës, ju ec falli qerratejve: Në Piramidën e së keqes, renditen disa shkallë më lartë, se bandat e rrugës!
E di që kriminelët ordinerë, ndjehen tejet të fyer nga kjo renditje, sepse ata t’paktën e kanë burrërinë, (po e quajmë kështu) që çdo vepre kriminale t’i venë gjoksin vetë, kurse kjo serë dhjeramanësh, për të mashtruar, vjedhur, vrarë e ka të domosdoshme t’veshë antiplumbin e pushtetit dhe të përdorë si mashë, piçonet sahanlëpirës. Pa atë parzmore, çdo dhic lagjeje, do t’i bënte të dhisnin gjak. Por megjithatë, kur mendojnë që një ditë, do t’i kenë si bashkëvuajtës, ndjehen mëse të shpaguar. Do të kenë kush t’ju lustrojë këpucët, t’u lajë këmbët, rrobat, mbi kë të shfryjnë stresin e nervat, bile pse jo, dhe epshet seksuale kur hormonet t’i kenë në vlim.
Në qoftë se të dyja palët, kanë si emërues të përbashkët instiktet kriminale, rrugëtimi për realizimin e tyre është krejt i ndryshëm. Kriminelët ordinerë, si pasojë e defiçitit neurotik, e kanë të nevojshme të gjejnë shtigje të tjera, që të ndihen të respektuar në jetë, ose të jenë dikushi. Për të kompesuar këtë handikap dhe realizuar ambiciet e tyre, thërrasin në ndihmë dhuntitë që s’ju mungojnë, si guximin (le ta quajmë kështu) për të shkelur ligjin, agresivitetin, brutlitetin. Dhe këto karakteristika shfaqen zakonisht, që në moshë të hershme dhe nuk i ndahen deri sa të avullohen bashkë me ta. Çdo rast ndryshe, është përjashtim!
Kurse bracat me kollare, megjithëse bartës të instikteve kriminale dhe po të njëjtit handikap, kurikulumi i jetës është krejt i ndryshëm, deri në momentin që venë këmbët te pragu i pushtetit. Sikur të kishim mundësinë të rishikonim fëmijërinë e tyre, me përjashtime të rralla, të gjithë do të regjistroheshin në kategorinë e qullacëve të lagjes, hileqarëve, paditësave, qaramanëve e gjithçfarë skuthave. Rrallë, rastisin dhe fëmijë të zellshëm në mësime, por gjithsesi, gjithherë antipatikë.
Por le të lemë filozofitë, e të zbresim me këmbë në tokë. Ja të marrim për shembull, të Rrjedhurin e Presidencës. Hidhi nje sy po deshe paraqitjes së tij, dhe gjithkush do të rrefejë, që njaj kry katërqoshësh e ka vendin, veç mbi trupin e një fshatari t’pa gdhenun. Kur sheh mandej, dhe me kë është puq në lidhje bashkëshortore, një e re pa pikë elegance me mustaqet deri te veshi, dhe e ke te qartë pastaj, me çfarë produktt human kemi të bëjmë. Kanë të drejtë turqit kur thonë: Cehredin beli!
Për të Rrjedhurin e Presidencës, që karrierën kriminale e ka filluar kur ka shkelur pragun e politikës, është krejt e natyrshme, që frika ndaj ndëshkimit prej reformës në drejtësi, t’ia çojë ato pak neurone në tilt. Mungesa e përvojës dhe dinjitetit (ta quajmë) të kolegëve të rrugës, e kanë çuar në çoroditje mentale të plotë. Në qoftë se kolegët e tij të rrugës, në kushte vështirësie përdorin armën, ky në kushtet e panikut, përdorte pushtetin, duke qëlluar kuturu për të mbytur frikën.
Të gjithe jemi dëshmitarë, se si parabola e shthurjes psikike i ka marrë të tatëpjetën. Tashti nuk dyshon askush, që është në fazën e delirit ekstrem. Shfaqet para mikrofonëve me atributet e liderit botëror, dhe kërcënon SHBA e BE, me gjykata ndërkombtare, çka dëshmon, që budallëkut i ka vënë krahë. Kushtetutën e trajton si letër bakalli, nga e cila nxjerr dekrete allaShaqo, me qëllim për të shantazhuar Parlamentin e Qeverinë. Por ngaqë sharra i has në gozhde, at’herë ju drejtohet për ndihme mëkatarëve sivellezër, Barbonëve politikë, duke i ftuar të rrëmbejnë armët, për të rivendosur antishtetin e tyre.
Por Barbonët politikë, që tashmë enden rrugëve me busull të ç’akorduar me kohe e vakt, në kërkim të pushtetit, s’kanë këllqe më, kanë mbetur trokë. Të ndëshkuar nga ligji, të lodhur, të zhgënjyer, piçonet u kanë dezertuar në masë. Taborrët e gatshëm, janë vetëm një kujtim i largët, i përkasin nostalgjisë. Qoftë për at’herë!
Për pasojë, e vetmja ndihmë që mund t’i japin, është t’i bashkohen thirrjeve haluçinante të të Lajthiturit të Presidencës, si konkluzion i natyrshëm solidariteti mes kriminelësh me kollare. Pastaj të presin, që një ditë t’ju brofe si Mic Sokoli, Vojo Kushi, o Mujo Ulqinaku, dhe në qoftë se është e nevojshme, pse jo, dhe në përmasat e një heroi ndërkombëtar, si Salvador Alende, që t’ju a zgjidhë hallet. Pse ike për lesh, s’ka problem. Mendon Lulash mavria ta shperblejë, kur të bëhet kryeministër!
Edhe për pak kohë besoj, do vazhdojmë të përjetojmë këtë festival dramatik marrish. Normalisht, me këto lloj marrish, duhet të gajasesh së qeshuri, por fakti që kanë të bëjnë me fatin tonë, na e ngec në fyt të qeshurën. Përderisa do t’i kemi nëpër këmbë, e qeshura do mbesë e mbllokuar në grykë.
Por ama, kur drejtësia t’i ketë rehatuar të shtatë penxheret, ooooh çdo gajasemi! Do tundet dynjaja! Me lot, me lot! Veç të kemi komedianë të aftë! /Fjala.al