Zbardhen skandalet me aferën e CEZ. Teksa prokuroria ka kërkuar pushim të hetimeve, të tjera detaje janë hedhur në dritë. Gazeta “SOT” ka siguruar kërkesën e plotë të prokurorisë që ka dorëzuar në gjykatë për pushimin e hetimeve. Por ajo që bie në sy është roli i çekëve në hetimin e kësaj afere.
Shtetasit çek asgjësuan dokumentet dhe gjatë marrjes në pyetje nga drejtësia çeke ata “qepën gojën” për të gjithë të përfshirët në këtë aferë, duke deklaruar se nuk ia mbajnë mend emrat të akuzuarve të qeverisë “Berisha”. Sipas argumenteve të prokurorisë, nga ana e autoriteteve çeke është bërë e mundur marrja në pyetje e dy shtetasve, më konkretisht Tomas Pleskac dhe Josef Hejsek. Ky i fundi ka pranuar se ka qenë pjesë e privatizimit të OSSH, ku ka theksuar se nuk ka qenë në kontakt me asnjë person tjetër si ndërmjetës. Në dokumentin e siguruar nga gazeta, mësohet se Hejsek ka deklaruar se me personat që kanë rënë dakord për privatizimin e OSHEE kanë qenë përfaqësues të qeverisë dhe nëpunës të ndryshëm, por nuk ka bërë asnjë emër publik me pretendimin se nuk i mbante mend. Ndërsa Tomas Pleskac ka deklaruar se nuk ka qenë pjesë e privatizimit të OSHEE dhe nuk ka dhënë asnjë përgjigje lidhur me këtë aferë. Pra duket qartë se dy çekët nuk kanë nxjerrë asnjë nga emrat e pushtetarëve të përfshirë në këtë aferë, duke shpëtuar dhe nxjerrë të palagur të gjithë pushtetarët e qeverisë “Berisha”.
Dështim me gjetjen e Nuel Kalasë
Por në dosjen e siguruar nga gazeta bie në sy se drejtësia çeke ka dërguar edhe dy fatura të printuara, njëra me vlerë 5 milionë euro dhe tjetra me vlerë 1.8 milionë euro, në emër të biznesmenit Nuel Kalaja. Ky i fundit ka qenë ndërmjetësi mes autoriteteve shqiptare dhe çekëve për privatizimin e ish-OSHEE, për të cilin prokuroria e ka thirrur për të dëshmuar. Por pavarësisht se Kalasë i janë gjetur transaksione të pajustifikuara, selia e CEZ ka zhdukur çdo dokument dhe kontratat, me pretendimin se i ka kaluar afati. “Nga përmbajtja e kërkesës së lartpërmendur rezulton se shoqëria CEZ i ka skartuar të gjitha kontratat dhe dokumentet për të dyja faturat dhe gjithçka që ka lidhje me personin Nuel Kalaja. Kjo ka ndodhur pasi është respektuar afati kohor prej 5 vitesh për skanimin e dokumenteve si dhe për arsye se kontrata me personin Nuel Kalaja dhe kontrata të tjera nuk kanë qenë dokumente bazë kontabiliteti”, thuhet në arsyetimin e drejtësisë çeke.
Duke qenë se biznesmeni Kalaja nuk është paraqitur para drejtësisë shqiptare për të dëshmuar, i është dërguar letër porosi autoriteteve kosovare. Këto të fundit kanë dështuar në gjetjen e Nuel Kalasë, duke deklaruar se nuk është gjetur dhe se ka informacione se jeton prej disa vitesh në Francë. Ndërkohë që të përfshirë në këtë aferë kanë qenë edhe Hamza Merxhani dhe Martin Roman, të cilët ende nuk kanë dëshmuar para drejtësisë çeke për lidhjet e tyre me aferën e CEZ.
Personat e marrë në pyetje
Por për aferën e CEZ janë marrë vetëm një pjesë e të përfshirëve në pyetje. Ndër të akuzuarit që është pyetur nga drejtësia shqiptare është djali i ish-kryeministrit Sali Berisha, Shkëlzeni. Ai është pyetur në cilësinë e personit që tregon të dhëna të dobishme për qëllim hetimin e mëtejshëm. Një tjetër emër i marrë në pyetje është edhe ish-ministri i qeverisë “Berisha” Genc Ruli, duke vijuar më tej me Hasan Amataj dhe Albana Troçe, e cila mbante postin e drejtoreshës në një nga bankat e nivelit të dytë. Po ashtu në pyetje është marrë edhe Enno Bozdo, ish-zv./ ministër në Ministrinë e Energjisë, Ridvan Bode, ish-ministër i Financave dhe Suzana Guxholli, ish-këshilltare e Sali Berishës. Në cilësinë e personit se ka dijeni dhe se do ndihmojë në hetimin e mëtejshëm është marrë në pyetje edhe Josef Ejsek, ish-drejtori i OSSH, më pas CEZ Shpërndarje. /Elisjeda Kiko