Kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha bën thirrje për kryerjen në masë të madhe të testimeve dhe ritestimeve për Covid-19.
Basha tha se disa lajme shqetësuese gjatë ditëve të fundit tregojnë nevojën për kryerjen e sa më tepër testime për të mos mbetur në errësirë, përsa i përket përhapjes së koronavirusit në Shqipëri.
Thirrjes së Ramës për bashkëpunim, Basha iu përgjigj duke thënë se opozita i ka bërë propozimet e saj me kohë.
“Meriton të analizohet, presim vendimin e këshillit të ministrave për të parë se çfarë ka në këtë paketë.
Kemi patur lajme shqetësuese, për shembull në Shkodër një infermiere që ka infektuar katër pacientë, një nga ata kishte vdekur.
Po këta katër pacientë a kanë takuar familjarë? Rasti i të aksidentuarit, që u zbulua se kishte Covid vetëm se bëri aksident. Kemi në fasoneri në Shkodër, punonjësit janë urdhëruar të vetëizolohen.
Është i domosdoshëm testimi, pa testim ne vazhdojmë të mbetemi në errësirë. Pa testim ne nuk mund të bëjmë asgjë që të dalim hap pas hapi nga karantina.
Sot kam dëgjuar edhe ekspertë pranë qeverisë që i vlerësoj për guximin, që thonë se duhet ndryshuar strategjia”, u shpreh Basha në emisionin “5 Pyetje nga Babaramo”.