Nga dita e sotme hartës së vendit i shtohen zonat e gjelbra si dhe do të lejohet udhëtimi ndërqytetës me taksi. Ndryshime ka edhe në lidhje me të riatdhesuarit.
Nga 4 maji vendit i janë shtuar edhe 18 zona të tjera të gjelbra konkretisht Tropojë, Rrogozhinë, Peqin, Belsh, Cërrik, Gramsh, Ura Vjagurore, Kuçovë, Berat, Poliçan, Skrapar, Devoll, Pustec, Maliq, Mallakastër, Kolonjë, Vlorë, Selenicë.
Gjithashtu nga kjo javë do të ketë lehtësime të udhëtimit me taksi, ku tashmë lëvizja do të jetë dhe ndërqytetëse në të gjithë vendin dhe nga 1 pasagjer mund të mbahen 2, por gjithmonë anëtarë të një familje.
Në lidhje me të riatdhesuar ka ndodhur një ndryshim, ku ata që jetojnë në zonat e kuqe do të vetëkarantinohen në banesën e tyre dhe jo në hotelet karantinë.
Ndërsa pjesa tjetër që banon në zonat e gjelbra do të qëndrojë në hotel karantinë për 14 ditë.
Këto lehtësime do të pasohen me të tjera në dy javët ne vijim, ndërsa vetë kryeministri Edi Rama tha ditën e djeshme se ” do të ketë lehtësime të vazhdueshme në vijim, por mbetet meraku i madh i sjelljes individuale sipas rregullave të mbrojtjes së shëndetit për veten, familjen, shoqërinë”, duke treguar edhe një herë se vetëm masat e qeverisë nuk janë të mjaftueshme pa ndërgjegjësimi qytetar dhe kujdesin që ata duhet të tregojnë vazhdimisht.