Presidenti Ilir Meta ka dalë në mbrojtje të protestuesve dhe opozitës që kundërshtojnë ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar. Pak minuta para se artistët dhe aktivistët e mbështetur nga opozita u derdhën dje në shesh për të protestuar për shembjen e teatrit, presidenti Meta zhvilloi një takim pune me ambasadorët e 4 vendeve të grupit të Vishegradit, të akredituar në Tiranë.
Pas takimit kreu i shtetit reagoi në rrjetet sociale, ndërsa u ka kërkuar ndihmë ndërkombëtarëve për të hetuar shembjen e Tetarit Kombëtar. Por kjo lëvizje e Metës ndaj ndërkombëtarëve vjen në një kohë që ai i ka sulmuar, ndërkohë që dje iu ka shtrirë dorën e bashkëpunimit, teksa ka kërkuar ndihëm e ambasadorëve që të hetojnë shembjen e godinës së teatrit.
Meta theksoi në rrjetet sociale se shembja e godinës së Teatrit Kombëtar kërkon një hetim të pavarur. “Mbështes fuqimisht një hetim ndërkombëtar për shkatërrimin antikushtetues, të paligjshëm dhe në mënyrën më antieuropiane të Teatrit Kombëtar. Gati të bashkëpunoj me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, si dhe me çdo institucion europian dhe ndërkombëtar për Kulturën. Europa dhe bota demokratike po e kupton edhe me qartë se ç’po ndodh këtu”, deklaroi ai.
Më tej, presidenti Ilir Meta shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me Aleancën për Mbrojtjen e Teatrit, duke i ftuar ata të mos i përgjigjen dhunës me dhunë. “Mos iu përgjigjni dhunës me dhunë, por me besim te demokracia dhe triumfi i saj mbi talebanizmin dhe oligarkinë”, u shpreh ai. Ndërkohë teksa po zhvillohej protesta për teatrin, presidenti Ilir Meta postoi një status të dytë në rrjetet sociale. Meta theksoi se rinia është pasuria më e madhe, ndërsa postoi edhe foton e disa djemve në tubim. “Rinia e Shqipërisë, pasuria jonë më e madhe! Mos u provokoni nga talebanët! Demokracia do triumfojë! Me qetësi dhe dashuri për Shqipërinë”, tha ai. Në shkurt të këtij viti presidenti Ilir Meta ka shpërthyer në akuza ndaj ndërkombëtarëve. “Presidenti i popullit kuqezi ulet në gjunjë vetëm para flamurit dhe popullit kuqezi, para popullit të shqiponjave. Këtë ta dëgjojnë mirë puçistët vendas dhe organizatat mafioze ndërkombëtare që kërkojnë të shkatërrojnë sovranitetin tuaj. Mirëpo, edhe ata e kanë të vështirë ta bëjnë këtë çështje, se po merren me një gjë të madhe, po ndjekin paratë”, nënvizoi presidenti Ilir Meta.