Kryeministri Edi Rama dhe kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha duket se me paktin e 5 qershorit për reformën zgjedhore i kanë dhënë një goditje dyshes Meta-Berisha. Këtë dy të fundit nuk e donin këtë marrëveshje, ndërsa arsyeja kryesore se përse kjo marrëveshje u zvarrit deri të premten, ishte për shkak të presioneve të tyre.
Madje, gazeta e deklaroi se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk e dëshironte depolitizimin e komisionerëve të komisioneve zgjedhore, pasi ajo ishte partia më e rrezikuar krahasuar me PD dhe PS. Por tërheqja e Partisë Socialiste në minutat e fundit, ishte deri diku e mirëmenduar, teksa iu dha një shuplakë armiqve të reformës.
Në mënyrë të papritur dhe tejet i kthjellët si në maj të vitit 2017 kur u arrti pakti Rama-Basha, anëtari socialist i Këshillit Politik, Damian Gjiknuri, të premten në mbrëmje deklaroi në tryezën e negociatave, ku ishin të pranishëm edhe tre anëtarët e tjerë dhe ambasadorët, se PS tërhiqet nga kushti i saj, duke i kapur në befasi palët.
Partia e Kryemadhit u vu përpara një situate ku nuk kishte nga t’ia mbante, kështu që u detyrua të firmoste dhe të binte në grackën e gatuar nga kryeministri dhe kryedemokrati, të cilët i bënë puç Metës dhe Berishës si para tre viteve. Kjo ka bërë që si Berisha, ashtu edhe Meta të nisin sulmet ndaj paktit për reformën zgjedhore.
Meta dhe Berisha sulm ndaj paktit
Fillimisht ka qenë, presidenti Ilir Meta, i cili reagoi menjëherë në rrjetet sociale sapo u arrit marrëveshja mbrëmjen e së premtes, duke e konsideruar një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme. “Presidenti i Republikës Ilir Meta përgëzon Këshillin Politik për konsensusin e sapo arritur për reformën zgjedhore.
Ky është një lajm pozitiv, por jo i mjaftueshëm për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme”, deklaroi ai. Nga ana tjetër, edhe ish-kryeministri Sali Berisha sulmoi marrëveshjen e 5 qershorit, teksa u shpreh në rrjetet sociale se pakti për reformën zgjedhore, sipas tij, është larg të qenit reformë elektorale e plotë. “Në të vërtet, ajo është larg së qeni reforma elektorale e plotë, por përsëri vlen të përshëndetet.
Kjo sepse me identifikimin biometrik procesi i votimit do mund të pastrohet nga parregullsi të shumta të konstatuara nga ODHIR nga përdorimi abuziv i letër njoftimeve, votimet familjare, votimet disa herë”, deklaroi Berisha. Ndërkohë edhe dje teksa ndodhej në qytetin e Laçit, presidenti Ilir Meta ka folur për marrëveshjen për reformën zgjedhore të firmosur mbrëmjen e 5 qershorit 2020. Sipas tij, është hedhur një hap i rëndësishëm përpara, dhe se do kishte pasoja nëse reforma do ishte e njëanshme.
“Mendoj se është hedhur nje hap i rëndësishëm përpara, pasi kam parasysh se cilat do ishin pasojat nëse nuk do kishte marrëveshje midis palëve. Ndoshta ka shumë qytetarë që nuk janë shumë të lumtur, pasi kanë pritur ndryshime edhe më thelbësore, por sidoqoftë fakti që kemi një marrëveshje konsensuale është shumë pozitiv. Po të kemi parasysh se cilat do ishin pasojat e menjëhershme të kalimit të njëanshëm të një reforme zgjedhore. Do të radikalizohej situata e brendshme, do ishte e tepër për këtë popull me probleme të shumta. Është hedhur një hap i rëndësishme përpara”, deklaroi Meta./ NGA RIGELS SELIMAN