Drejtësia e re në vendin tonë vijon të jetë në dorë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Bashkimit Europian. Organet e drejtësisë nga dita në ditë po ndikohen nga politika, për emërimet apo edhe shkarkimet e njerëzve të drejtësisë, gjë që po kontrollohet dhe po mbahet sa më larg nga faktori ndërkombëtar.
Euralius dhe OPDAT që nga fillimi i reformës në drejtësi kanë qenë mjaft të angazhuar në Shqipëri me misionin e tyre, ku përveçse monitorojnë nga afër seancat e vetingut për të pastruar sistemin e drejtësisë nga gangrena e korrupsionit, por po monitorojnë nga afër edhe mbledhjet e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Ky i fundit, në mbledhjen e zhvilluar ditën e premte në datën 2 tetor përgatiti Planin Strategjik për vitet 2021-2024, ku të pranishëm përveç anëtarëve të Këshillit, këshilltarë ligjorë dhe një pjesë e administratës së Këshillit, ishin edhe përfaqësuesit e Euralius dhe OPDAT. Përmes këtij plani, synohet që KLP të sigurojë jo vetëm transparencë, por edhe pavarësi si institucion si dhe emërimin dhe shkarkimin e prokurorëve të pandikuar nga asnjë faktor tjetër.
Përmes një njoftimi të shpërndarë për media, KLP bën me dije se Plani Strategjik është hartuar në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë për të krijuar rezultate sa më pozitive në punën e Këshillit.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë organizoi ditën e enjte në 1 Tetor në Valbonë një takim me qëllim vlerësimi të objektivave të miratuara për vitin 2020 dhe përgatitjen e Planit Strategjik 2021-2024. Në takim morën pjesë anëtarë të Këshillit, këshilltarë ligjorë dhe një pjesë e administratës së Këshillit.
Kjo strategji do të përcaktojë objektivat e punës për Këshillin e Lartë të Prokurorisë për sigurimin e pavarësisë, llogaridhënies, transparencës dhe të eficiencës në veprimtarinë për administrimin e statusit dhe karrierës së prokurorëve në Republikën e Shqipërisë.
Hartimi i tij është realizuar në bashkëpunim të ngushtë me partnerët kryesorë të sistemit të prokurorisë, Ministrin e Drejtësisë, shoqërinë civile, etj., me mbështetjen e posaçme të ofruar nga Misioni EURALIUS si dhe janë konsultuar dokumentet strategjikë dhe legjislacioni në fuqi, me qëllim krijimin e pasqyrës reale dhe planifikimin e drejtë dhe të saktë si garanci për rezultatet e tij pozitive”, thuhet në njoftimin e KLP.
Qëllimi i planit strategjik
KLP thekson më tej se hartimi i këtij plani strategjik ka për qëllim të rikthejë besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë, por edhe për forcimin e shtetit ligjor apo krijimin e një sistemi të pavarur dhe të pandikuar. Por përveç qëllimit, plani përmban edhe objektiva specifik për të garantuar meritokraci, profesionalizëm dhe pavarësi të prokurorëve.
“Zhvillimi i veprimtarisë për administrimin e sistemit të prokurorisë sipas këtij plani strategjik, do të garantojë respektimin e parashikimeve ligjore si dhe rritjen e besimit të publikut tek sistemi i drejtësisë.
Plani Strategjik 2021-2024 për Këshillin e Lartë të Prokurorisë përmban vizionin, misionin dhe vlerat thelbësore që do të drejtojnë punën e këtij këshilli, për arritjen e një qëllimi të përgjithshëm që është kontributi për forcimin e shtetit ligjor dhe krijimi i një sistemi të pavarur dhe efecient të prokurorisë.
Përveç qëllimit të përgjithshëm, plani përmban objektivin specifik si dhe aktivitetet kryesore të punës së Këshillit të Lartë të Prokurorisë në vitet në vijim, që do të shërbejnë për të garantuar meritokracinë, profesionalizmin, përgjegjshmërinë dhe pavarësinë e prokurorëve”, thuhet në njoftimin e KLP./Elisjeda Kiko