Ilir Meta paralajmëroi se do të publikojë listën e atyre deputetëve që do të votojnë ndryshimet e reja në Kodin Zgjedhor.
Meta tha se do ta bëjë këtë veprim, për të treguar se kush janë ata që sipas tij kanë votuar kundër të ardhmes së vendit, sepse përgjegjësia, sipas tij, do të jetë individuale.
“Shpresoj që sot deputetët të marrin një vendim të drejtë, të respektojnë marrëveshjen historike të 5 qershorit, që i vetmi përjashtim që kemi vendosur, është hapja e listave 100%.
Çdo prekje e njëanshme e marrëveshjes historike të 5 qershorit do të jetë një faturë shumë e madhe historike për të gjithë ata që do të ngrenë dorën, pasi jemi paralajmëruar në mënyrë të vazhdueshme nga BE dhe presidenca gjermane.
Përgjegjësia e çdo deputeti do të jetë individuale dhe jo kolektive nëse ngre dorën kundër të ardhmes së Shqipërisë. Shqipëria me hir apo me pahir do të hyjë në BE, se ky është vullneti i qytetarëve shqiptarë”, tha ai.
“Presidenti do t’i publikojë emrat e atyre që do ta bëjnë një gjë të tillë, pra se kush janë ata që duan ta kthejnë Shqipërinë 30 vite pas për të mbyllur një derë, e cila nuk ka zot në botë që ta mbyllë.
Presidenti do të bëjë atë që ka bërë gjithmonë, nëse vazhdojnë me 5 qershorit, do të vazhdojmë përpara, në të kundërt presidenti dhe 3 milionë shqiptarë do tregojnë se Evropa është në zemrat tona dhe se ajo nuk është euro, por është dinjitet. Të gjithë e kanë në dorë sot të tregojnë ku do të jenë, me pusht-pushtetin apo me demokracinë.”