Zgjedhjet e 25 prillit pritet të jenë ndër më të ashprat e viteve të fundit. Si kurrë më parë, pjesë e fushatës pritet të jetë dhe presidenti dhe kjo ka ndezur një luftë frontale mes kryeministrit Edi Rama dhe Ilir Metës.
Prej më shumë se 3 javësh, presidenti ka ashpërsuar retorikën në drejtim të qeverisë. Mirëpo 3 ditët e fundit, ka hasur në një rezistencë të fortë nga kryeministri Rama, i cili i është përgjigjur me një gjuhë akoma dhe më të fortë, çka tregon se deri më 25 prill do të kemi një klimë tejet të tensionuar politike dhe përplasjet nuk do të jenë më Rama-Basha, por Rama-Meta.
Dje në sallën e Parlamentit, kryeministri bëri një deklaratë shumë të fortë në drejtim të presidentit, pasi e akuzoi se ka nisur të bashkëpunojë me kontigjentë të botës së krimit për të siguruar vota. Presidenti ka nisur fushatën dhe po bën takime në qytete të ndryshme, por Rama dje deklaroi se ka informacione se mes personave të takuar janë dhe disa që janë subjekt i Operacionit Forca e Ligjit, që u janë sekuestruar pasuritë.
Pra trafikantë të dënuar me vendim gjykate. “Partia Socialiste është një familje politike ku ka rregulla dhe Partia Socialiste ka të drejtën që të rendisë në listë të gjithë skuadrën e vet, nga portieri deri tek sulmuesi, bashkë me rezervat. Dhe çdo rezervë që merr votat futet në fushë. Çdo lojtar që është në fushë dhe nuk arrin të marrë votat, del në stol.
Më thjeshtë së kaq s’ka. SH.P.K, për të lëshuar deri edhe viktimat e OFL-së, që kontaktohen nëpër skuta katundesh nga i pari i vendit, nuk ka. Lista të hapura që nën formulën e hapjes ndjellin llumin, paranë e zezë, forcat që ushtrojnë presion mbi komunitetet për të dalë dhe për t’u turrur si çakej nëpër zona, t’i harroni ju, t’i harrojë kushdo tjetër, t’i harroje edhe Ilir Meta”, tha Rama.
Kërcënimet e Metës
Presidenti para votimit të Kodit Zgjedhor kërcënoi të gjithë deputetët që do votonin draftin. Rama ju përgjigj nga Kuvendi për këtë gjë, duke ironizuar deklaratat e Metës në 2017 ku paralajmëroi armatosjen e militantëve të LSI.
“Ilir Meta që del e flet në emër të Kushtetutës, në emër të shqiptarëve, me një gjuhë që mbase i shkon me viktimat e OFL-së, por nuk i shkon me Partinë Socialiste, me deputetët e saj, nuk i shkon me popullin shqiptar, që do afishoka emrat e deputetëve publikisht dhe që secili do merrka përveçse kosto politike dhe morale, por edhe personale. Nga kush? Në çfarë mënyre? Me cilat mjete të dhunshme, apo me ato armët që do rrëmbeheshin në 2017-ën”, tha Rama.
Kapaciteti mendor i presidentit
Vitet e fundit, në vendin tonë presidenti ka dalë nga kostumi i tij dhe ky mund të jetë rasti unik në botë. Në një Republikë Parlamentare, presidenti nuk ka rol vendimmarrës dhe kanë një post honorifik, sikundër dhe ne. Por Meta dje nuk ndali sulmet ndaj qeverisë edhe në një konferencë me homologun boshnjak.
Kjo u cilësua si mjaft e rëndë nga Rama, duke e cilësuar si person me probleme depresive. “Dëgjova një zonjë këtu, që fliste me një gjuhë që një nënë nuk mund ta ketë, që një grua nuk mund ta ketë, që një përfaqësuese e popullit në Parlament nuk mund ta ketë.
Por, çfarë faji mund t’i vë unë zonjës, kur shembullin më skandaloz sot, për të gjithë qytetarët dhe qytetarinë e këtij vendi e jep Presidenti i Republikës së Shqipërisë, i cili si askush tjetër, në atë pozicion nuk ka kapacitetin moral dhe mendor që të përmbahet të paktën, kur ka në krah një homologun e tij që vjen nga jashtë.
Nuk ka President në botë. Nuk më kujtohet ta ketë bërë as vetë Saliu, që në krah me një të huaj të ketë përdorur një fjalor vulgar, shantazhues dhe depresiv për kundërshtarët këtu”, tha Rama.
Nga ana tjetër, presidenti reagoi disa herë dje dhe kjo tregon se tashmë beteja është ndezur dhe të dyja palët kanë paralajmëruar surpriza. Meta kërcënoi me protesta, ndërsa në PS deputetët kanë shtuar presionet ndaj Ramës për të marrë masa. /Kliti Topalli