Vështirësohet puna për ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Edhe pse ndërkombëtarët kërkojnë që ajo të jetë gati brenda vitit, duket se është një proces mjaft i vështirë. Momentalisht gjykata ka 4 anëtarë, ndërsa për 2 vakanca vijojnë kandidimet në Kuvend dhe në Presidencë.
Të hënën, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi u mblodh për të zhvilluar vakancën e tretë të presidentit të datës 22.11.2019, ku janë skualifikuar dhe 4 emra të tjerë. Përmes një njoftimi të shpërndarë për media, KED bën me dije se kandidatët që janë skualifikuar nga gara për të qenë pjesë e Kushtetueses janë Sergjio Mazreku, Sinan Tafaj, Shaqir Hasanaj dhe Zhaklina Peto. “Ndalimin e kandidimit të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese si më poshtë:
Sergjio Mazreku, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019; Sinan Tafaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019; Shaqir Hasanaj, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019; Zhaklina Peto, për vendin vakant, vakancë e parakohshme në Gjykatën Kushtetuese, e shpallur nga Presidenti i Republikës në datën 22.11.2019”, thuhet në njoftimin e KED.
Sipas informacioneve mbledhja e KED ka zgjatur deri në mesnatë dhe për këtë arsye është vendosur që të premten të mbahet një tjetër mbledhje, ku do të shqyrtohen dy kandidaturat e fundit ajo e Sonila Bejtjes dhe Eugen Papandiles. Krahas anëtarëve të KED në mbledhjen e radhës morën pjesë përfaqësuesi i Avokatit të Popullit, përfaqësuesit e Presidentit të Republikës, përfaqësuesi i Kryetarit të Kuvendit si edhe përfaqësuesja e OPDAT. Ndërkaq është lajmëruar se mbledhja e radhës do të zhvillohet ditën e premte, në datën 9 tetor.
KLP thirrje prokurorëve
Ndërkohë që për plotësimin e vendeve vakante në Gjykatën Kushtetuese Këshilli i Lartë i Prokurorisë u ka bërë thirrje të gjithë prokurorëve që plotësojnë kriteret të aplikojnë. Në mbledhjen e zhvilluar ditën e djeshme KLP ftoi prokurorët që kanë kaluar me sukses procesin e vetingut të bëhen pjesë e Kushtetueses.
“Këshilli i Lartë i Prokurorisë duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në vend dhe sidomos ecurinë e reformës ne drejtësi, nisur nga: Shpallja e dy vendeve vakante për Gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese nga Presidenti i Republikës dhe nga Kuvendi; Roli kryesor që Gjykata Kushtetuese luan në garantimin e parimeve të ndarjes së pushteteve, ekuilibrin e pushteteve dhe sundimin e ligjit në Republikën e Shqipërisë Rekomandimet e Komisionit të Venecias në Opinionin e tij nr. 978/2020, i cili e konsideron si të një rëndësie jetike për funksionimin e Gjykatës Kushtetuese, inkurajon prokurorët të cilët përmbushin kriteret për emërimin si Gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese, si dhe kanë kaluar me sukses procesin e rivlerësimit kalimtar duke u konfirmuar në detyrë, të aplikojnë për të ushtruar detyrën e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, thuhet në njoftim.