Ish-kryeministri Sali Berisha do të marrë frymë lirisht të paktën edhe dy javë sa i takon dosjes së Azem Hajdarit. Dje ishte planifikuar të mbahej seanca e radhës gjyqësore ku gjykata do të merrte vendim nëse do të pranohej lisat e dëshmitarëve të dorëzuar nga prokuroria dhe pala mbrojtëse.
Por seanca u shty për në datën 23 tetor me kërkesë të palës mbrojtëse. Arsyeja është se avokati Idajet Beqiri është në izolim, pasi dyshohet se mund të jetë prekur me Covid-19. Dje në seancë ishte dhe Izet Haxhia, i cili kërkon ballafaqim me Sali Berishën për këtë çështje.
Ai kërkoi dhe një dëshmitar tjetër, por që do të paraqitet zyrtarisht nga avokati. Izet Haxhia, ish-oficeri i Gardës Kombëtare, është i dënuar me 25 vjet burg për veprën penale të “vrasjes për shkak të detyrës”. Ai u arrestua më 3 qershor të vitit 2006 në shtetin turk, pasi ishte shpallur në kërkim për vrasjen e Hajdarit.
Arrestimi i tij në atë kohë u bë i mundur falë një bashkëpunimi mes policisë shqiptare dhe Interpol Ankarasë në mesditën e datës 3 qershor, në Kushadasi të Turqisë. Pak kohë pas vrasjes së Hajdarit, Haxhia u arratis përtej detit.
Sipas informacioneve të policisë, ai jetoi në Stamboll deri në vitin 2004, ndërsa më pas lëvizi drejt Antalias, në Kushadasi, vend në të cilin dhe u arrestua. Haxhia ka qenë truproja e ish-presidentit Sali Berisha. Ai është akuzuar gjithashtu edhe për ngjarjet e 14 shtatorit të po atij viti, kur u sulmua Kryeministria.
Madje, për këtë akuzë ai është hetuar nën masën e sigurisë arrest shtëpie. Izet Haxhia u largua nga vendi në fillim të vitit 1999, kur hetimet për vrasjen e ish-deputetit Hajdari po implikonin edhe vëllezërit Haxhia. Deputeti i Partisë Demokratike, Azem Hajdari, u ekzekutua mbrëmjen e 12 shtatorit 1998, pak metra larg selisë së PD-së në kryeqytet.
Nga breshëritë e plumbave gjeti vdekjen dhe truproja i tij, Besim Cera nga Dibra. Për vrasjen e ish-liderit të dhjetorit u akuzuan Jaho Mulosmani si dhe tre vëllezërit, Izet, Ismet dhe Isamedin Haxhia.