Bashkimi Europian vijon të shprehë mbështetjen e saj në ecurinë dhe përparimin e reformës në drejtësi në vendin tonë.
Euralius në bashkëpunim me Këshillin e Lartë të Prokurorisë, Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Inspektoratin e Lartë të Drejtësisë organizuan një trajnim me temën “Praktika e Gjykatës Europiane Për të Drejtat e Njeriut” mbi çështjet disiplinore të magjistratëve”.
Këtë takim e ka bërë të ditur vetë KLP, e cila përmes një njoftimi të shpërndarë për media bën me dije se qëllimi kryesor i këtij takimi është implementimi i praktikës së Gjykatës Europiane në vendin tonë, duke dhënë edhe shembuj konkretë.
“Objektivat e trajnimit synojnë prezantimin e legjislacioni shqiptar në fuqi për çështjet disiplinore të magjistratëve dhe harmonizimin e tij me praktikën e Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në çështjet disiplinore të magjistratëve dhe zbatimi i garancive të paraqitura nga GJEDNJ në kontekstin shqiptar.
Ekspertët e EURALIUS paraqitën para të pranishmëve raste konkrete nga vende anëtare të BE dhe debati mbi to”, thuhet në njoftim. Por ky trajnim ishte një kërkesë e KLP, ku në vitin 2019 i kërkoi Euralius që t’i ofronte asistencën mbi praktikat gjyqësore që ndjek Gjykata Europiane dhe që të shërbejë si trampolinë edhe për vetë KLP për procedimet disiplinore.
“Në tetor të vitit 2019, Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkoi EURALIUS-it të ofronte një vështrim të përgjithshëm të praktikës gjyqësore të Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut në lidhje me procedimet disiplinore ndaj magjistratëve të zhvilluara nga autoritetet përkatëse të brendshme.
Kjo praktikë do t’i shërbejë Këshillit si një udhëzim për t’u konsideruar në procedimet disiplinore në vijim që do të zhvillohen nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe vetë Këshilli”, thuhet në njoftimin e KLP. Vetë kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë,
Gent Ibrahimi u shpreh se praktika ka treguar se është e nevojshme aplikimi i një qasje të unifikuar në KLP, KLGJ dhe ILD në interpretimin dhe zbatimin e dispozitave të reja ligjore për procedimin disiplinor në përputhje me praktikat orientuese të jurisprudencës së Gjykatës Europiane për të Drejtat e Njeriut.