Presidenti në detyrë Donald Trump ka ngritur pretendimet për përpjekje për “të vjedhur” zgjedhjet.
Përmes një postimi në Twitter, Trump replikoi në distancë pas konferencës për shtyp të mbajtur nga kandidati demokrat Joe Biden, duke u shprehur se situata që kanë republikanët është pozitive.
“Jemi shumë lart, por ata po përpiqen të vjedhin zgjedhjet. Ne nuk do t’i lëmë ta bëjnë këtë. Votat nuk mund të hidhen pas përfundimit të procesit,” – shkroi në Twitter Trump.
Komenti i Trumpit u cilësua nga Twitter si problematik dhe “që mund të çojë në një përfundim të gabuar”. BBC ndërkohë raportoi se ky ishte një nga rreth 70 komentet që Trump ka bërë rreth çështjes së votimit me postë.
Trump e shkroi komentin e tij pasi Biden u shpreh gjatë konferencës për shtyp se ishte optimist për rezultatin dhe se “nuk është në dorën e Trump për të përcaktuar fituesin” por “në dorën e amerikanëve”.
Replikat në distancë vijnë pas qëndrimeve të kundërta për sa i përket shqyrtimit të votave me postë.
Diplomati Richard Grenell, i njohur si krahu i djathtë i Donald Trump në marrëdhëniet ndërkombëtare, komentoi në Twitter se “sondazhet e mediave janë shumë të gabuara” dhe që “nuk duan ta pranojnë”.
“Trump është më lart aktualisht në Michigan, Wisconsin dhe Pennsylvania. Prandaj mediat tani duan t’i ndihmojnë demokratët të zgjasin procesin në përpjekje për të pritur vota të tjera ditët që do të vijnë,” – shkroi Grenell në Twitter.