Presidenti Trump udhëheq në të pesë këto shtete, mirëpo rivali i tij Joe Biden shpreson se votat e dërguara me postë janë masivisht të demokratëve
Nga Ruben Avxhiu
Pesë shtete do të caktojnë se kush do të jetë Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkuara:
– Pennsylvania: 20 vota elektorale
– Michigan: 16 vota elektorale
– Georgia: 16 vota elektorale
– North Carolina 15 vota elektorale
– Wisconsin: 10 vota elektorale
Presidenti Donald Trump udhëheq bindshëm në të pesë shtetet, mirëpo rezultati mund të përmbyset nga votat e dërguara me postë.
Biden kryeson në rezultatin e përgjithshëm 237 vota (kolegje) elektorale ndaj Trump që ka vetëm 210. Trump pritet të fitojë në Alaksa dhe Montana që kanë vetëm nga 3, kurse Biden ka mundësi që të fitojë në Nevada e cila ka 6 vota. Kjo do ta çonte rezultatin 243-216 për kandidatin demokrat.
Në total nevojiten 270 vota elektorale për të siguruar fitoren në zgjedhjet presidenciale.
Trump shpreson se epërsia që ka krijuar në të gjitha shtetet e mbetura do të ruhet. Biden e ka shpresën te votat që kanë mbërritur me postë. Shumë demokratë kanë preferuar dërgimin me postë për shkak të pandemisë. Në disa qendra të mëdha banimi numërimi i votave ka proceduar më ngadalë.
Megjithëse është mbrapa në këto shtete, fushata e kandidatit Joe Biden është shprehur me optimizëm në mesnatë.
“Do të fitojmë”, shkroi Rufus Gifford, zv-menaxheri i fushatës së ish-Zv-Presidentit Biden.
Po Republikanët shpresojnë se nuk do të mjaftojnë për ta përmbysur rezultatin. Në Pennsylvania Trump udhëheq 57%-41%, në Michigan 54%-44%, në North Carolina është shumë më ngushtë, por vetëm 6% e votave kanë mbetur pa numëruar. Georgia do të ishte një çudi nëse nuk fitohet nga Trump.
Më vështirë do të jetë të dalë rezultati në Pennsylvania, ku me vendim gjykate do të priten votat me postë deri të premten.
Ndërsa në Kongres nuk ka ndryshime drastike. Republikanët ka shanse që do ta mbajnë shumicën në Senat, kurse Demokratët në Dhomën e Përfaqësuesve.