Hetimet mbi aferat korruptive të konsumuara nga qeveritë në Shqipëri, vijojnë të jenë “Thembra e Akilit”. Çdo ditë flitet në media dhe korridoret e politikës për aferat dhe tenderat e dhënë në mënyrë abuzive, por askush nuk ka përfunduar në burg.
Kjo çështje kaq e ndjeshme sidomos për qytetarët shqiptarë është hapur ditën e djeshme në seancën plenare në Kuvend. Më konkretisht rruga “Durrës-Kukës” që shihet si një ndër mega aferat korruptive të konsumuara nga qeveria “Berisha” shkaktoi dje debat mes palëve, për shkak se askush nuk ka mbajtur përgjegjësi dhe nuk është ndëshkuar deri më sot.
Ishin disa deputetë të opozitës parlamentare të kryesuar nga Kujtim Gjuzi që herë pas herë i ndërprenë fjalën kryeministrit Edi Rama mbi elozhet ndaj vetes dhe qeverisë së tij, ndërsa i kërkuan llogari se përse nuk është futur asnjë në burg për aferën “Durrës-Kukës”.
PS distancohet nga hetimi i Bashës dhe Berishës
Por kjo sjellje e ndjekur nga deputetët e opozitës së re, solli irritimin e kryeministrit, i cili mes krahasimeve për qeveritë, akuzoi ish-kryeministrin Sali Berisha dhe kryedemokratin Lulzim Basha që e lanë autostradën e Kukësit rrugëve, duke i shkaktuar dëme të mëdha, pasi projekti ishte skandaloz.
“Ju dhe ata që janë jashtë jeni të mirëkuptuar sepse nuk keni një punë ta tregoni dot. Më tregoni një punë konkrete. E vetmja gjë që shkon në gojë është autostrada deri në Kukës. Po cila autostradë? Autostrada pa ura? Autostrada pa hyrje dhe dalje rrugës për dhjetëra komunitete? Apo autostrada që shkon gjerë e përfundon si gryke shisheje? Autostradë që rrëshqet dheu nga të katërta anët, siç e latë ju.
Shkoni shikoni tani ndryshimin se çfarë do të thotë autostradë. Ajo patjetër është e vetmja vepër që ka pjesërisht ambicien e materializuar për të bërë një rrugë me standarde, por edhe ajo një rrugë e lënë rrugëve ishte. Një kiamet i madh edhe ajo”, deklaroi ai. Por deputeti Gjuzi këmbëngulte ndërsa i kërkonte llogari Ramës pse nuk ka ndëshkuar ata që bënë batërdi në rrugën “Durrës-Kukës”.
Por kryeministri Edi Rama u kujdes që t’ia kalonte topin drejtësi, duke u distancuar nga hetimi i tyre. Sipas Ramës, në demokraci nuk është qeveria ajo që të burgos, por drejtësia. Madje, shefi i qeverise u kujtoi deputetëve të opozitës se këtë kërkesë që ata kanë mund ta bënte realitet vetëm regjimi komunist, që sikundër tha Rama, burgoste kundërshtarët.
“Në demokraci nuk fut në burg as qeveria, as partia, as kryeministri. Në ‘45-ën po. Prandaj mos bërtisni sikur jeni deputetë të Partisë Komuniste të ‘45-ës. Mos ushqeni njerëzit me këtë marrëzi,- burg, burg, burg,- që duhet ta realizojë qeveria, se është skandal. Prandaj nuk dini të ndërtoni shkolla. Për ju, shkollat janë pasatempo për kalamajtë. Prandaj nuk dini të bëni tekste shkollore.
I latë njerëzit në marrëzinë e teksteve alternative të shkruara nga ata, të cilët as deputetë të PD-së nuk bëheshin dot, sepse ishin edhe më të paaftë se ata që bëheshin deputetë dhe bënin tekste shkollore. Si ka mundësi që ju, ligjvënës, thoni “t’i kishit futur në burg”. Në burg të fut drejtësia dhe doni s’doni, dua unë s’dua unë, cilido që është subjekt i drejtësisë, trajtohet nga drejtësia, nuk trajtohet nga mikrofonat e politikës”, nënvizoi kryeministri Edi Rama.
Lëvizjet e Metës
Kryeministri Ram tha se reforma në drejtësi u bë pikërisht për këtë gjë, ndërsa zbuloi se si Ilir Meta në atë kohë nuk e ka dashur votimin e reformës.
“Pikërisht se nuk jemi njësoj, ne kemi udhëhequr Reformën në Drejtësi dhe po bëjmë të mundur ne, mos më thoni mua njësoj, se Ilir Meta, mbasi tha që edhe Flota e 7 Amerikane të më vijë tek vila në Lalëz, unë nuk dorëzohem, erdhi këtu, – flota nuk erdhi fare – dhe bashkë me Saliun e me të tjerë, – ju nuk keni qenë këtu, ju prisnit bingon, po nuk ishte hapur akoma bingo, – bënë votimin me spektakolar që më kanë parë sytë mua.
Dorën lart me kartonin jeshil, kokën poshtë, sikur iu ishin mbytur të tëra gjemitë. Pastrimi që i bëmë sistemit të drejtësisë ishte radikal. Natyrisht, që drejtësia të vijë në pikën që të bëjë drejtësi në të gjitha nivelet do kërkojë kohën e vet”, tha ai.