Partia Demokratike duket se po mban në ankth aleatët e saj. Ditët e fundit Fatmir Mediu ka dërguar një sërë mesazhesh ndaj Bashës se duhet të përcaktohet strategjia se si duhet të shkohet në zgjedhje me 1, 2 apo 3 lista.
Por gazeta ka mësuar se PD nuk do të dalë me një vendim për të paktën dhe disa kohë. Demokratët nuk duan që të futen në një listë të përbashkët me LSI. Por nga ana tjetër nëse LSI del më vete do të jetë një rival më shumë në zgjedhje.
Madje në PD thuhet se LSI ka nisur fushatën kundër tyre sepse synon vota si në PD ashtu dhe në PS. Gazeta ka mësuar se Basha do e shtyjë vendimin për çështjen e listave dhe nuk është çudi që vendimi të merret pasi të flasë Venecia.
LSI dhe PD kanë shpresa se Venecia do të rrëzojë PS edhe pse mazhoranca është vendosur që të mos ketë ndryshime në Kod para zgjedhjeve. Por demokratët duket se po ecin me strategji. Nëse do të përcaktohej që tani se si do të shkohet në lista, LSI do të mobilizohej edhe kundër PD.
Nga ana tjetër Basha po përballet me presione dhe nga aleatët tradicionalë, pasi Mediu, Shehi, e Duka presin një reagim ndryshe dhe që të futen në lisat e PD bashkë me disa kandidatë të tyre.
Ndërkohë sipas të dhënave LSI me PDIU mund të dalin me një koalicion më vete. Pra duket qartë se heqja e koalicioneve do të sjellë një garë të fortë dhe brenda opozitës. LSI në këto zgjedhje luan për mbijetesë. Nëse nuk merr shumë mandate dhe nëse mbetet sërish jashtë qeverisë, atëherë e sigurt që ajo do të shkrihet si parti. Për këtë arsye edhe presidenti është hedhur në lojë dhe PD shihet si rivale dhe jo si aleate.
Lëvizjet e Ramës
Kryeministri Edi Rama ka lëshuar disa deklarata interesante ditët e fundit. Ai ka deklaruar se PS po mundohet të shpëtojë Bashën, pasi është futur në grackë nga Meta, Kryemadhi dhe Berisha.
Shefi i qeverisë i ka dërguar disa sinjale se duhet të distancohet nga LSI, pasi për të kjo e fundit është një parti që lufton vetëm për interesa. “Të mendosh që këta janë njerëz pretendojnë të marrin në dorë fatet e këtij vendi, pretendojnë të drejtojnë këtë vend, pretendojnë të marrin përsipër financat. Imagjinoni për një moment Lulzim Bashën kryeministër, me Monikën ministre të Financave, Ilir Metën, ministër të Brendshëm.
Dihet që kjo lloj qeverie, që nuk do të vijë për fat të mirë ndonjëherë, është në fakt qeveria e çiftit presidencial dhe Luli është thjesht dhëndri. Një dhëndër që e nxjerrin përpara këta 3 të tjerët, Saliu, Iliri dhe Monika dhe thonë merreni se është goxha djalë.
Është e vërtetë, është goxha djalë, por kur e sheh se kë ka mbrapa, o duhet shpëtuar nga ata të tre, ose duhet lënë që ta hanë ata të tre. Se në fund, ata do ta hanë. Do i thonë ne të mbajtën për të shitur, po ti nuk qenke i bleshëm”, deklaroi ai.
Reagon Kryemadhi
Ndërkohë dje kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi i ka dërguar një tjetër mesazh liderit demokrat që PD dhe LSI të jenë bashkë. “Llogaritë e mia janë bërë në bashkëpunim me analistë dhe duke marrë parasysh sondazhet tona. Kështu, kemi llogaritur 100 mandate.
Po të llogarisim të gjitha votat e partive të opozitës së bashkuar, PDIU, LSI, PD dhe partive të tjera që nuk u përfshinë në vitin 2017, opozita e bashkuar i kalon 1 milion votat. Fryma e opozitës nuk lë shteg për keqkuptime, jemi të gjithë bashkë në një llogore kundër Rilindjes dhe Edi Ramës”, tha Kryemadhi.