Lulzim Basha, ka zhvilluar takime me pensionistët e lagjes në Tiranë ku i thotë se janë të harruar nga qeveria dhe se në momentin e marrjes së qeverisë, sipas tij do të vijë ndryshimi i pritur.
Lideri i opozitës bën përgjegjës kryeministrin Edi Rama kur vjen puna te vdekjet nga Covid-19.
“Qeveria i ka mundësitë të rimbursojë ilaçet, për anti-covid për të moshuarit. Si ka mundësi që më të rrezikuarit ndaj kësaj sëmundje t’i lësh në mëshirë të fatit. Kjo do të thotë t’i dënosh me vdekje”, tha Basha, duke shtuar se:
“Paratë e taksave tuaja i transferon tek xhepat e miqve të vet. Kam një kërkesë që e kam përsëritur dhe vazhdoj ta përsëris që të zgjidhë thesin për qytetarët. Duhet të merren urgjentisht masat sepse me këto ritme infeksionesh nuk ka më kapacitete për të sëmurët.
E gjithë vëmendja, buxheti i shtetit duhet të jetë përqendruar për të ndihmuar qytetarët, faji për shumë jetë që po humbin për shkak të mbingopjes së kapaciteteve të spitaleve është i Edi Ramës.
Ai po tallet me jetët e njerëzve dhe kjo po na kushton shëndet. Edhe sa jetë duhet të humbin që njeriu që ka përgjegjësi të ndihmojë qytetarët. Duhet urgjent t’i japin fund kësaj. E kam ngritur dhe do ta ngre zërin ditë për ditë.
Dua që të gjithë së bashku të bëhemi bashkë. Në 25 prill do ta largojmë të keqen dhe do ta ndihmojmë Shqipëri. E ardhmja duhet t’i takojë të gjithë shqiptarëve , jo vetëm një grupi njerëzish”, tha Basha.