Shtohet presioni amerikan ndaj Bashës sa i takon fatit të Sali Berishës në zgjedhjet e 25 prillit. Ish-kryeministri ditët e fundit u ka hedhur benzinë protestave të dhunshme dhe kjo ka alarmuar amerikanët.
Në shumë statuse në rrjetet sociale, por dhe në intervista, Berisha mbështeti aksionin e të rinjve, ndërsa nuk shfaqi asnjë pendesë ndaj masakrës së 21 Janarit. Madje shkoi aty sa deklaroi se kishte urdhëruar ekzekutimin e Edi Ramës. Por fill pas këtyre deklaratave erdhi një qëndrim i fortë nga ambasadorja Yuri Kim, qëndrim i cili përveç se mbante brenda mesazhin për protestën, ishte një mesazh dhe për liderin Basha se amerikanët nuk e duan Berishën.
“Ata që kërkojnë të jenë në pushtet duhet të shfaqin aftësinë e tyre për të udhëhequr në një mënyrë të përgjegjshme, përfshirë edhe duke refuzuar dhunën. Ata që kanë qenë në pushtet më parë nuk duhet të përkeqësojnë gabimet e së kaluarës, duke sugjeruar se dhuna është e pranueshme. Ambasada e Shteteve të Bashkuara u bën thirrje të gjitha palëve të tregojnë përmbajtje, në përputhje me përgjegjësitë e tyre, në mënyrë që të drejtat e të gjithë qytetarëve shqiptarë të mbrohen dhe që zërat e tyre, përfshirë atyre në protestë, të kenë mundësi të shprehen dhe të dëgjohen pa dhunë”, tha ambasada.
Gazeta e tha pak kohë më parë se Bashës i është bërë e qartë se amerikanët nuk e kanë shumë për zemër Berishën. Ky i fundit nuk pranon të largohet nga politika, por prania e tij në Parlament shihet me skepticizëm nga përtej Atlantikut. Por ajo që bie në sy është se qëndrimet e ditëve të fundit të Berishës e kanë shtuar akoma dhe më tej presionin e SHBA ndaj Bashës, pasi nëse lexohet me kujdes deklarata, Berisha shihet si personi që mbështet dhunën dhe kaosin.
Këto presione kanë vënë në dilemë Lulzim Bashën, i cili ende nuk e ka vendosur se çfarë do të ndodhë me ish-kryeministrin. Ky i fundit në çdo dalje mediatike ka thënë se ende nuk ka një vendim se ku do të kandidojë. Pra duket se kemi një situatë komplekse, pasi Basha është mes dy zjarreve dhe sa më shumë afrojnë zgjedhjet, aq më shumë rritet presioni ndërkombëtar ndaj tij.
Mesazhet e Bashës
Lulzim Basha i ka dërguar disa mesazhe Berishës, duke ja kërkuar me mirëkuptim që ai të largohet vetë nga jeta aktive politike. Kreu demokrat ka përdorur Genc Rulin për të dërguar mesazhet e tij. Sipas Rulit, koha e Berishës ka mbarur dhe ai s’mund të jetë më në Parlament. “Kur i përmenda në mënyrë figurative që ka lavdi sa për dy jetë dhe i thosha që është një figurë që rrezaton nga ai pozicion që është, nuk është gjithmonë e nevojshme që të veshi uniformën e politikanit.
Ai ngelet gjithmonë njeriu, që sidomos e djathta tradicionale tek PD-ja ka një influencë të madhe dhe atë influencë e jep në çdo mënyrë tjetër duke dalë në televizor, duke dhënë deklarime, etj., jo domosdoshmërish i duhet një xhaketë politikani, që sot e vesh edhe një politikan i ri. Ka arritur në atë pozicion që e ka të qartë që ta bëjë të lexueshme për një shumicë atje poshtë se çfarë do ai, çfarë kërkon nga ky elektorat dhe çfarë misioni do t’iu ushtrojë ky elektorat”, tha Ruli në një studio televizive pak ditë më parë. Deklaratat e tij nuk janë pëlqyer aspak nga Berisha. Madje ky i fundit e ka sulmuar Rulin disa herë.
Për raportet mes tyre Ruli ka deklaruar: “Raporti im me Berishën është interesant që nga fundi i viteve ‘90 që themeluam PD-në dhe deri më sot. Nuk ka kaluar gjithmonë në një përqafim rozë, kemi qenë njerëz në pozicione mjaft kundërshtuese, ndoshta dhe agresive me njëri-tjetrin. Por, dua të them që unë në zgjedhjet, vendimet, qëndrimet, deklarimet e mia politike, ndjesitë dhe emocionet personale të fyerjes të nxehjes që njeriu i ka dhe i ka me të drejtë, nuk i kthejmë në qëndrime politike. Qëndrimet politike vijnë në momentin kur të është qetësuar dhe urtësuar mendja”.