Kompania farmaceutike ‘Trimed’, përmes produktit Rhinostop, që gjendet në çdo farmaci, vazhdon e qetë dhe e pacënuar të bashkëpunojë me trafikantët e drogës në rang Ballkani dhe të vërë në pikëpyetje shëndetin e konsumatorit shqiptar, në një kohë kur rreziku është i shtuar për shkak të rritjes së konsumimit në situatë pandemie.
Siç ‘Pamfleti’ e denoncoi 2 ditë më parë, Rhinostop përmban substancën e ndaluar me ligj, ‘pseudoephedrine’, lëndë që përdoret për përzierjen e kokainës dhe sigurisht trafikantët e lëndëve narkotike e shfrytëzojnë këtë produkt kontrabandë, pasi u kushton më lirë se sa vetë përziersit e posaçëm.
‘Trimed’, importon mbi 604 mijë kuti në një vit, në një kohë kur shqiptarët, nuk konsumojnë më shumë se 15 mijë kuti të kësaj linje produktesh.
Diferenca e kutive me produktin Rhinostop, që përmban ‘pseudoephedrine’, substancën që agjencia amerikane e barnave, më e madhja në botë, thotë qartë se ndalohet shitja e ilaçeve që përmbajnë pseudoefedrinë, e sidomos pa recetën e mjekut, shkon në funksion të segmentëve të trafikut të drogës dhe bën pazare hapur, lehtësisht të verifikueshme nga gjurmët që lënë sekserët amatorë të ‘Trimed’.
Një ndër ta, i ashtuquajturi Çimi, i bën pazaret në Whatsapp, ku në një ndër ato që disponon ‘Pamfleti’, kërkon 255 milion për një sasi rreth 100 mijë kuti, madje bëhet edhe më ‘zemërbardhë’ kur i thotë klientit se do i ulë 5 milionë.
Prova më e madhe dhe që ulërin para syve të drejtësisë, është fakti se si derdhen në llogarinë e kompanisë farmaceutike ‘Trimed’ paratë e përfituara.
Me një logjikë të thjeshtë, supozohet që derdhen nga llogaria e një pale të tretë, por jo.
Paratë kalojnë në llogarinë e ‘Trimed’ pikërisht nga llogaria e vetë punonjësve të saj, fakt që nuk ka nevojë për koment.
Çimi, është ‘punonjësi i dalluar’ i ‘Trimed’, pasi një prej aksionerëve të saj, Genta Peposhi, e mban pikërisht për ti mbaruar punët e zeza.
Mijëra kuti të importuara, me produktin Rhinostop, faturohen false në emër të farmacive në Shqipëri, pa dijeninë e këtyre të fundit, dhe më pas, malli u çohet kontrabandë trafikantëve në Kosovë.
Ku është hetimi tatimor?!
Pse Hetimi tatimor nuk verifikon kujt ia ka shitur me letra këtë produkt që të justifikojë daljen dhe më pas çuarjen kontrabandë në Kosovë?!
Në vijim, detaje të reja në funksion të zbardhjes së skemës mafioze të aktivitetit të ‘Trimed’ përmes Rhinostop./Pamfleti