Pistoleta e gjetur më shumë se 100 metra larg vendit ku mbeti i vrarë 25-vjeçari Klodian Rasha ka detyruar Prokurorinë e Tiranës të kërkojë ndihmën e ekspertëve të huaj, që asistojnë uniformat blu.
Deri më tani hetuesit nuk kanë siguruar gjurmë të vlefshme që mund të çojnë në identifikimin e personave që mund ta kenë hedhur armën në një pellg me ujë në zonën ku mbeti i vrarë i riu.
Burime nga organi i akuzës së kryeqytetit bëjnë me dije se gjatë këtyre ditëve është zhvilluar një takim mes grupit hetimor dhe ekspertëve gjermanë, që asistojnë pranë policisë shqiptare për ecurinë e hetimeve.
Gjithashtu mësohet se po shikohet mundësia që pistoleta “mini-glock” të dërgohet në një laborator të huaj për ekzaminime më të detajuara.
Ndërkohë Prokuroria po verifikon pamjet e dhjetëra kamerave të sigurisë për të parë nëse arma është hedhur aty nga ndonjë person, apo është lënë qëllimisht nga dikush pas ngjarjes.
25-vjeçari Klodian Rasha mbeti i vrarë në orët e para të mëngjesit të 8 dhjetorit, pasi u qëllua me armën e shërbimit nga efektivi i “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj.
Ndaj këtij të fundit prokuroria ka krijuar bindjen për rëndimin e pozitës penale nga vrasje në kapërcim të kufijve të mbrojtjes së nevojshme në vrasje me dashje.